Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Liderët e BE-së mblidhen për të diskutuar për Ukrainën dhe Gazën

Liderët e Bashkimit Evropian janë mbledhur të enjten për të gjetur mënyra të reja për të dërguar armë dhe municion për Ukrainën dhe për të diskutuar luftën në Gaza, në mes të shqetësimeve të thella për planin e Izraelit për të nisur një ofensivë në Rafah.

Rezervat e municionit të Ukrainës janë jashtëzakonisht të ulëta dhe Rusia ka më shumë trupa të armatosura mirë. Ekziston gjithashtu një ndërgjegjësim në rritje se BE-ja duhet ta rrisë sigurinë e saj, me fushatën zgjedhore në SHBA që ngre pyetje në lidhje me angazhimin e Washingtonit ndaj aleatëve të tij, raportoi AP.

Përpara Samitit në Bruksel, presidenti i Këshillit të BE-së, Charles Michel tha se evropianët “përballen me një moment të rëndësishëm”.

“Urgjenca, intensiteti dhe vendosmëria e palëkundur janë të domosdoshme”, ka deklaruar Michel.

Planet e reja janë në tavolinë, veçanërisht për të përdorur fitimet nga asetet e ngrira ruse për të blerë armë dhe municione të Ukrainës.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Antonio Guterres u është bashkuar liderëve në fillim të takimit të tyre dy-ditor, pjesërisht për të inkurajuar disa vende anëtare që të rifillojnë fondet për agjencinë e ndihmës palestineze të OKB-së, ofruesin kryesor të ndihmës në Gaza.

Në fillim të këtij muaji, Komisioni Evropian ka thënë se do të paguajë 50 milionë euro për agjencinë UNRWA.

Lufta Izrael-Hamas ka zhvendosur 80% të popullatës prej 2,3 milionë të Gazës nga shtëpitë e tyre, derisa OKB-ja thotë se çereku i tyre vuan nga uria.

Artikuj të ngjashëm