Ky raport, i cili u shpërnda te zyrtarët e BE-së këtë muaj dhe u sigurua nga “The Associated Press”, ofron një vështrim të rrallë të vendosmërisë së Evropës për të mbështetur Libinë në kapjen dhe rikthimin e dhjetëra mijëra burrave, grave dhe fëmijëve në Libi, ku ata përballen me abuzime të padurueshme
Një raport i fshehtë ushtarak nga Bashkimi Evropian kërkon vazhdimin e programit të BE-së, që kishte për qëllim trajnimin dhe pajisjen e marinës dhe të rojave bregdetare të Libisë, pavarësisht shqetësimeve të mëdha për mënyrën se si ata i trajtojnë emigrantët, numrit të rritur të vdekjeve në det dhe mungesës së vazhdueshme të autoriteteve qendrore në shtetin e Afrikës Veriore.
Ky raport, i cili u shpërnda te zyrtarët e BE-së këtë muaj dhe u sigurua nga “The Associated Press”, ofron një vështrim të rrallë të vendosmërisë së Evropës për të mbështetur Libinë në kapjen dhe rikthimin e dhjetëra mijëra burrave, grave dhe fëmijëve në Libi, ku ata përballen me abuzime të padurueshme.
“Përdorimi i tepruar i forcës”
Ushtaraku i marinës italiane, Stefano Turchetto, njëkohësisht shef i misionit të BE-së për mbikëqyrjen e embargos së armëve, i njohur ndryshe edhe si operacioni “Irini”, përpiloi raportin i cili vërteton “përdorimin e tepruar të forcës” nga autoritetet libaneze, duke shtuar se ky trajnim i BE-së “nuk ndiqet më plotësisht”.
Qindra mijëra emigrantë me shpresën për të arritur në Evropë, kanë kaluar nëpër Libi, ku biznesi fitimprurës për trafikim dhe kontrabandim ka lulëzuar.
Edhe
Qindra emigrantë po zhduken në Mesdhe, autoritetet po i fshehin të dhënat
Në raportin e BE-së pranohet se “ngërçi politik” në Libi ka penguar programin trajnues të Evropës, duke vënë në dukje se ndarjet e brendshme të shtetit e bëjnë të vështirë marrjen e mbështetjes politike për zbatimin e “standardeve të duhura të sjelljes që përputhen me të drejtat e njeriut, e posaçërisht kur kemi të bëjmë me emigrantë të parregullt”.
Komisioni Evropian dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE-së nuk pranuan të komentojnë mbi raportin. Por zëdhënësi Peter Stano konfirmoi se BE-ja është e vendosur të trajnojë personelin e rojës bregdetare dhe të përforcojë aftësinë e Libisë për të menaxhuar një zonë të madhe kërkim-shpëtimi të Mesdheut.
Programi trajnues i BE-së “është shumë i vendosur për të rritur kapacitetin e autoriteteve libiane për shpëtimin e jetëve në det”, tha Stano.
Kritika të shumta
Kritikat ndaj rregullave të Evropës për migrimin janë rritur. Së paku tri kërkesa janë bërë në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për të hetuar zyrtarët libianë dhe ata evropianë, trafikantët, milicët dhe të tjerët për krime kundër njerëzimit. Një hetim i OKB-së i publikuar në tetor tregoi prova se abuzimet e bëra në Libi mund të konsiderohen si krime kundër njerëzimit.
Javën e kaluar sekretari i përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, u bëri thirrje vendeve që të "rishqyrtojnë rregullat që mbështesin kapjen e emigrantëve në det dhe kthimin e tyre në Libi”.
Stano i hodhi poshtë këto kritika. “Kur bëhet fjalë për migracionin, objektivi ynë është të kursejmë jetët e njerëzve, të mbrojmë ata që kanë nevojë dhe të luftojmë trafikimin e qenieve njerëzore dhe kontrabandimin e emigrantëve”, tha ai.
Mirëpo mbrojtësit e të drejtave të njeriut dhe azilkërkuesit nuk janë dakord.
“Evropianët mundohen të tregojnë anën e mirë”, tha një grua nga Kameruni e cila mbërriti në Libi në vitin 2016 me fëmijën e saj, duke menduar se do të gjente punë. Në vend të kësaj, ajo ishte trafikuar dhe ishte detyruar të merrej me prostitucion pasi e kishin ndarë nga e bija.
Në vitin 2018 ajo hipi në varkën e një kontrabandisti që kishte destinacion Evropën, por grupi i saj u kap nga autoritetet libiane dhe u dërguan në qendrën e paraburgimit “Tajoura”, ku të arrestuarit u rrahën dhe u keqtrajtuan. Ajo u lirua vetëm pasi një mik i pagoi rojat një shpërblim prej 700 dollarësh.
“Ata po e quajnë këtë shpëtim të jetëve? Si mund të quhet kjo shpëtim i jetëve kur ato jetë torturohen më pas?” - pyeti ajo.
I pyetur në lidhje me qendrat e paraburgimit në Libi, Stano tha se qëndrimi i BE-së është i qartë: “Ato janë të papranueshme. Sistemi aktual arbitrar i paraburgimit duhet të përfundojë”.
Asnjë shenjë ndryshimi
Por pavarësisht pohimeve të tilla asgjë nuk ka ndryshuar. Qeveria libiane muajin e kaluar e emëroi udhëheqësin e milicisë, i cili ishte i përfshirë në abuzimet e emigrantëve, Mohammed Al-Khoja, shef të Departamentit për Luftimin e Migracionit të Parregullt, i cili mbikëqyr qendrat e paraburgimit.
“Personat e ngarkuar me detyrën për të zhdukur biznesin e trafikimit janë vetë trafikantët”, tha Violeta Moreno-Lax, themeluese e programit të Ligjit të imigracionit në Universitetin Queen Mary të Londrës.
Edhe
Ndërkombëtarët “të shqetësuar” për rrënimin e vilave ilegale në brigjet e Ujmanit
Raporti i BE-së vuri në dukje "përdorimin e tepruar të forcës fizike" nga një patrullë libiane, kur ata kapën një varkë me rreth 20 emigrantë në brigjet e Libisë më 15 shtator.
Forcat libiane përdorën taktika “që nuk ishin parë kurrë më parë dhe nuk ishin në përputhje me trajnimet e BE-së, si dhe me Rregulloren ndërkombëtare”, thuhet në raport. Por raporti nuk ofroi më shumë detaje se çfarë ka ndodhur saktësisht.
Një zëdhënës i rojës bregdetare libiane nuk iu përgjigj kërkesave të AP-së për të komentuar atë incident apo për raportin e BE-së. Në të kaluarën, Ministria e Brendshme e Libisë dhe zyrtarët e rojës bregdetare kanë thënë se po bëjnë aq sa mundin me burimet e kufizuara në një vend të rrënuar nga lufta civile.
Roja e sulmit?
Frontex - roja bregdetare evropiane- dhe Agjencia Kufitare që dokumentoi incidentin e 15 shtatorit - për t’iu përgjigjur pyetjeve të AP-së tha se kishte paraqitur një "raport të incidentit të rëndë", por nuk dha me tepër detaje.
Ozlem Demirel, anëtare e partisë së majtë gjermane në Parlamentin Evropian, tha se raporti ofron "prova të mëtejshme se pse nuk duhet të ketë bashkëpunim".
“Fakti që ‘Irini’ po kërkon trajnime të mëtejshme është, për mendimin tim, skandaloz,” tha ajo.
Taktikat e dhunshme, të përdorura nga autoritetet libiane në det, janë të dokumentuara për vite me radhë. Javën e kaluar aktivistët vullnetarë në një anije shpëtimi raportuan se kishin parë një anije patrullimi libiane "duke shtënë mbi një person i cili ishte hedhur në ujë".
Rreth 455 milionë euro (516 milionë dollarë) janë caktuar për Libinë që nga viti 2015 përmes Fondit të Trustit të BE-së për Afrikën, shuma të konsiderueshme të të cilave kanë shkuar për financimin e migracionit dhe menaxhim të kufijve.
Megjithatë, sipas një hetimi të vitit 2019 të AP-së, shuma të mëdha janë ndarë mes milicëve dhe trafikantëve të cilët i shfrytëzojnë emigrantët. Anëtarët e rojës bregdetare gjithashtu kanë bashkëpunuar, duke i dërguar emigrantët që janë kapur në det në qendrat e paraburgimit, sipas marrëveshjeve me milicitë ose duke kërkuar shpërblime për t’i lënë ata të shkojnë.
Rrugëtimi fatal
Paratë e BE-së janë përdorur për trajnimin e stafit dhe rinovimin e anijeve për autoritetet libiane. Roja bregdetare libiane gjithashtu u furnizua me telefona satelitorë dhe uniforma, dhe do të marrë tri anije të reja patrullimi gjatë dy vjetëve të ardhshëm.
Për të kapur anijet e vogla të emigrantëve në Detin Mesdhe, autoritetet libiane përdorin gjithashtu pamjet e kapura nga dronët, avionët dhe radarët e Evropës. Por edhe atëherë, kaosi politik në vend shpesh ndikon në operacionet e kërkim-shpëtimit.
Migrimi i parregullt nga Afrika e Veriut për në Itali dhe Maltë u rrit në vitin 2021 pas një rënieje në vitin 2020, kryesisht për shkak të pandemisë së koronavirusit. Sipas Frontex-it, kalimet në Mesdheun Qendror përbënin një të tretën e të gjitha kalimeve të paligjshme kufitare të raportuara në Evropë.
Por me rritjen e tentimeve për kalime të paligjshme u rritën edhe arrestimet. Vitin e kaluar roja bregdetare libiane mori dhe ktheu në Libi më shumë se 32.000 emigrantë, që është gati trefishi i numrit të vitit 2020
Edhe
OSBE: Sigurimi i dëshmitarëve dhe provave nga jashtë, pengesë për gjykimin e krimeve të luftës
Megjithatë, pavarësisht nga të gjitha pajisjet dhe trajnimet e ofruara për Libinë për të shpëtuar jetë, më shumë se 1500 njerëz vdiqën apo u zhdukën vitin e kaluar, që paraqet numrin më të lartë të vdekjeve që nga viti 2017.
Përktheu: Marigona Avidmetaj