Kryeministri i ri i Libanit, Nawaf Salam, ka arritur ta formojë qeverinë e parë në shtet pas krizës dyvjeçare.
Salam u betua se do të “rikthente besimin midis qytetarëve dhe shtetit, midis Libanit dhe vendeve arabe, dhe midis Libanit dhe komunitetit ndërkombëtar”.
Ai gjithashtu premtoi se do të ndjekë zbatimin e marrëveshjes së armëpushimit që mbylli luftën më të fundit ndërmjet Izraelit dhe grupit militant libanez Hezbollah në fund të nëntorit, dhe do të sigurohet që forcat izraelite të tërhiqen nga territori libanez përfundimisht.
Përfaqësuesja speciale amerikane, Morgan Ortagus, kishte deklaruar të premten në Beirut qëndrimin zyrtar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që përmbante vendosjen e vijave të kuqe për anëtarët politik të Hezbollahut, për të mos qenë pjesë e qeverisë së re.
Deklarata e saj shkaktoi shumë pakënaqësi, sepse u pa si ndërhyrje në çështjet e brendshme të vendit. Pavarësisht qëndrimit të SHBA-së, qeveria e sapoformuar ka 5 ministra shiit, që vijnë nga radhët e partnerit politik të Hezbollahut, Amal.