Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Lavrov: Rusia s’është e pastër, por s’ka turp të tregojë se kush është

Sergei Lavrov

Sergei Lavrov

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, ka thënë të enjten se gjërat nuk janë ashtu siç duken, derisa foli për situatën e krijuar nga ushtrua ruse në Ukrainë për katër muaj. Ai shtoi se Rusia nuk është e pastër, por nuk ka turp të tregojë se kush është.

“Rusia nuk është e pastër. Rusia është ajo që është. Dhe ne nuk kemi turp të tregojmë se kush jemi”, ka thënë ai, shkruan BBC-ja të enjten.

Lavrov ka pretenduar se në Ukrainë nuk ka luftë, por se Rusia po vazhdon një operacion special ushtarak që e nisi në fund të muajit shkurt.

"Ne nuk e pushtuam Ukrainën. Ne shpallëm operacion special ushtarak sepse nuk kishim absolutisht asnjë mënyrë tjetër për t'ia shpjeguar Perëndimit se zvarritja e Ukrainës në NATO ishte një akt kriminal”, ka thënë ai.

Ai ka akuzuar Perëndimin se po shpërndan lajme të rreme lidhur me situatën në Ukrainë.

"Është për keqardhje se si diplomatët ndërkombëtarë, duke përfshirë Komisionerin e Lartë të OKB-së për të Drejtat e Njeriut, Sekretarin e Përgjithshëm të OKB-së dhe përfaqësues të tjerë të OKB-së, po vihen nën presion dhe shpesh po punojnë për të përforcuar lajmet e rreme të përhapura nga Perëndimi”, ka thënë ai.