Botë

Largohen mijëra dokumente Epstein pasi u identifikuan dhjetëra viktima

Jeffrey Epstein

Foto: Associated Press

Departamenti Amerikan i Drejtësisë (DOJ) ka hequr nga faqja e tij e internetit mijëra dokumente që lidhen me Jeffrey Epstein, pasi shumë viktima kanë thënë se identitetet e tyre ishin komprometuar.

Avokatët e viktimave të Epstein kanë deklaruar se redaktimet e gabuara në dosjet e publikuara të premten kanë “përmbysur jetët” e gati 100 të mbijetuarave. Në publikim ishin përfshirë adresa emaili dhe foto nudo, në të cilat emrat dhe fytyrat e viktimave të mundshme mund të identifikoheshin.

Të mbijetuarat lëshuan një deklaratë duke e quajtur zbulimin “skandaloz” dhe thanë se nuk duhet të “emërtohen, shqyrtohen dhe ritraumatizohen”.

DOJ ka thënë se kishte hequr të gjitha dosjet e shënuara dhe se lëshimet janë pasojë e “gabimeve teknike ose njerëzore”.

“Të gjitha dokumentet që viktimat ose avokatët e tyre kërkuan të hiqeshin deri mbrëmjen e djeshme janë hequr për redaktim të mëtejshëm”, ka deklaruar DOJ në një letër të dorëzuar të hënën pranë një gjyqtari federal.

Departamenti ka shtuar se po vazhdon të shqyrtojë kërkesa të reja, si dhe të kontrollojë nëse ka dokumente të tjera që kërkojnë redaktim shtesë. 

Sipas kushteve të publikimit, i cili u urdhërua pasi të dy dhomat e Kongresit miratuan një masë që detyronte DOJ-në të publikonte dokumentet, qeveria federale ishte e detyruar të redaktonte detajet që mund të çonin në identifikimin e viktimave.

Miliona dosje që lidhen me Epstein janë publikuar të premten e kaluar nga DOJ, përfshirë tre milionë faqe, 180,000 imazhe dhe 2,000 video.

Epstein ka vdekur në një burg në New York, më 10 gusht 2019, ndërsa priste gjyqin për akuzat për trafikim seksual.