Botë

Kur Khamenei të dalë nga bunkeri, do ta gjejë një Iran ndryshe

Iran Khamenei

Pas gati dy javësh të kaluara në një bunker sekret diku në Iran, gjatë luftës së vendit të tij me Izraelin, udhëheqësi suprem, Ajatollah Ali Khamenei, 86 vjeç, mund të dëshirojë ta shfrytëzojë mundësinë që e ofron armëpushimi për të dalë në publik. Por, nëse e bën këtë, ai do të përballet me një realitet të ndryshuar – një vend më i tronditur, më i ndarë dhe më i zemëruar se kurrë më parë

Ai besohet se është fshehur, i shkëputur nga komunikimi, nga frika se mos vritet nga Izraeli. Madje, edhe zyrtarët më të lartë të qeverisë thuhet se nuk kanë pasur asnjë kontakt me të.

Do të ishte e rrugës të jetë i kujdesshëm, pavarësisht armëpushimit të brishtë që e ndërmjetësoi presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe Emiri i Katarit. Edhe pse presidenti Trump raportohet se i ka kërkuar Izraelit të mos e vrasë liderin suprem të Iranit, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, nuk e përjashtoi këtë mundësi.

Kur – ose nëse – ai nuk do të fshihet më, do të përballet me një peizazh të mbushur me vdekje dhe shkatërrim. Pa dyshim, ai të enjten u shfaq në televizionin shtetëror duke pretenduar fitore në konflikt. E bëri këtë nga një hapësirë që s’dihet se ku është. E tani do të përpiqet ta rikthejë imazhin e tij. Por përballë do të ketë realitete të reja – madje një epokë të re.

Lufta e ka lënë vendin ndjeshëm të dobësuar, ndërsa atë vetë, një njeri të rrënuar.

Pëshpëritje pakënaqësie në nivelet më të larta

Gjatë luftës, Izraeli e mori shpejt kontrollin mbi një pjesë të madhe të hapësirës ajrore të Iranit dhe e sulmoi infrastrukturën e tij ushtarake. Komandantët kryesorë të Gardës Revolucionare dhe ushtrisë u vranë me shpejtësi.

Shkalla e dëmit në ushtri mbetet ende e paqartë dhe e diskutueshme, por bombardimet e përsëritura mbi bazat dhe instalimet ushtarake të ushtrisë dhe Gardës Revolucionare tregojnë për një degradim të ndjeshëm të fuqisë ushtarake të Iranit.

Objektet bërthamore të njohura të Iranit – të cilat i kushtuan vendit gati dy dekada sanksione nga SHBA-ja dhe bashkësia ndërkombëtare, me një kosto të vlerësuar prej qindra miliarda dollarësh – tani janë dëmtuar nga sulmet ajrore, megjithëse vlerësimi i plotë i dëmit mbetet mister.

Shumë po e shtrojnë pyetjen: për çfarë ishte gjithë kjo?

Një numër i madh iranianësh do ta fajësojnë personalisht Ajatollah Khamenein, i cili u bë lider në vitin 1989, për drejtimin e Iranit në një kurs përplasjeje me Izraelin dhe SHBA-në – një kurs që në fund solli rrënim të madh për vendin dhe popullin e tij.

Ata do ta fajësojnë për ndjekjen e objektivit ideologjik të shkatërrimit të Izraelit – diçka që shumë iranianë nuk e mbështesin. Do ta fajësojnë për atë që e shohin si një marrëzi: bindjen e tij se arritja e statusit bërthamor do ta bënte regjimin e tij të paprekshëm.

Sanksionet e kanë gjymtuar ekonominë iraniane, duke e kthyer një eksportues të madh nafte në një hije të varfër dhe të dobët të asaj që ishte dikur.

“Është e vështirë të thuash sa gjatë mund të mbijetojë regjimi iranian nën një trysni kaq të madhe, por kjo duket si fillimi i një fundi”, thotë profesoresha Lina Khatib, studiuese në Universitetin e Harvardit. “Ali Khamenei ka gjasa të jetë ‘udhëheqësi suprem’ i fundit i Republikës Islamike në kuptimin e plotë të fjalës”.

Në nivelet e larta të pushtetit kanë nisur të dëgjohen pëshpëritje pakënaqësie. Në kulmin e luftës, një agjenci gjysmëzyrtare iraniane raportoi se disa figura të larta të mëparshme të regjimit u kanë kërkuar klerikëve më të heshtur dhe të rezervuar të qytetit të shenjtë të Qomit – të cilët janë të ndarë nga ajatollahët në pushtet – që të ndërhyjnë dhe ta sjellin një ndryshim në udhëheqje.

“Do të ketë llogaridhënie”, thotë profesori Ali Ansari, themelues i Institutit të Studimeve Iraniane në Universitetin e St Andrews. “Është krejt e qartë se ekzistojnë përçarje të mëdha brenda udhëheqjes, dhe, po ashtu, një pakënaqësi e madhe mes qytetarëve të zakonshëm”.

“Zemërimi dhe frustrimi do të zënë rrënjë”

Gjatë dy javëve të fundit, shumë iranianë janë përballur me ndjenja të përziera – nga njëra anë, nevoja për ta mbrojtur vendin, dhe nga ana tjetër, urrejtja e thellë ndaj regjimit. Ata u solidarizuan me vendin e tyre, jo duke dalë në mbrojtje të regjimit, por duke u kujdesur për njëri-tjetrin. Janë raportuar raste të shumta solidariteti dhe afërsie mes njerëzve.

Banorët e fshatrave dhe qyteteve të vogla i hapën dyert për të strehuarit që kishin ikur nga bombardimet në qytete, tregtarët shisnin mallra bazë nën çmim, fqinjët trokisnin në derën e njëri-tjetrit për të pyetur nëse u duhej ndihmë.

Megjithatë, shumë njerëz ishin të vetëdijshëm se Izraeli ndoshta po synon një ndërrim regjimi në Iran – diçka që shumë iranianë e dëshirojnë. Por ata mund të mos e pranojnë nëse ai ndryshim vjen si pasojë e një ndërhyrjeje të huaj të imponuar nga jashtë.

Në gati 40 vjet sundim, Ajatollah Khamenei – një nga autokratët më jetëgjatë në botë – e ka asgjësuar çdo formë opozite në vend. Liderët politikë opozitarë janë ose në burg, ose kanë ikur jashtë vendit. Në mërgim figurat e opozitës nuk kanë arritur të krijojnë një platformë të përbashkët që do ta bashkonte kundërshtimin ndaj regjimit.

Ata nuk kanë qenë në gjendje ta ndërtojnë as një strukturë minimale që mund ta marrë drejtimin në rast se paraqitet një mundësi për ndryshim nga brenda.

Gjatë dy javëve të luftës, kur një rrëzim i regjimit dukej si një mundësi nëse sulmet do të vazhdonin pandërprerë, shumëkush mendonte se skenari më i mundshëm pas përfundimit të luftës nuk do të ishte marrja e pushtetit nga opozita, por rënia e vendit në kaos dhe anarki.

“Është pak e mundur që regjimi iranian të përmbyset nga opozita e brendshme. Regjimi mbetet i fortë në vend dhe do ta shtojë shtypjen për ta shuar çdo kundërshti” thotë profesoresha Khatib.

Tani iranianët kanë frikë nga një valë tjetër shtypjeje nga regjimi. Të paktën gjashtë persona janë ekzekutuar në dy javët e fundit me akuza për spiunazh në favor të Izraelit. Autoritetet thonë se i kanë arrestuar rreth 700 persona për të njëjtën arsye.

Një grua iraniane i tha BBC-së se ajo ka më shumë frikë nga hakmarrja e një regjimi të plagosur dhe të poshtëruar ndaj popullit të vet, sesa nga vetë lufta dhe shkatërrimi.

“Nëse regjimi nuk arrin t’i sigurojë mallrat dhe shërbimet bazë, atëherë zemërimi dhe frustrimi do të rriten”,  thotë profesori Ansari.

“Unë e shoh këtë si një proces me disa faza. Nuk besoj se zemërimi popullor do të shfaqet plotësisht menjëherë – kjo do të ndodhë shumë më vonë, pasi bombardimet të kenë përfunduar”.

Pak vetë në Iran besojnë se armëpushimi i ndërmjetësuar të hënën do të zgjasë – dhe shumë mendojnë se Izraeli nuk e ka mbyllur ende llogarinë, tani që ka kontroll të plotë ajror mbi Iranin.

Bazat raketore balistike të Iranit

Një nga elementet që duket se i ka shpëtuar shkatërrimit janë bazat raketore balistike të Iranit, të cilat Izraeli e ka pasur të vështirë t’i zbulojë, pasi janë të vendosura në tunele nën malet që përshkojnë vendin.

Shefi i Shtabit të Forcave të Mbrojtjes të Izraelit, Eyal Zamir, deklaroi se Izraeli e nisi sulmin e tij të parë ndaj Iranit duke e ditur se “Irani i zotëronte rreth 2.500 raketa tokë-tokë”. Raketat që Irani i lëshoi shkaktuan vdekje dhe shkatërrime të mëdha në Izrael. Izraeli mbetet i shqetësuar për rreth 1.500 raketa të tjera që mund të jenë ende në duart e Iranit.

Ekziston, gjithashtu, një shqetësim i thellë në Tel Aviv, Washington dhe në kryeqytete të tjera perëndimore dhe rajonale se Irani mund të përpiqet me nxitim ta ndërtojë një bombë bërthamore — një gjë që vetë Irani vazhdon ta mohojë.

Edhe pse objektet bërthamore të Iranit, me shumë gjasë, janë dëmtuar rëndë, e ndoshta janë bërë të papërdorshme nga bombardimet e Izraelit dhe SHBA-së, autoritetet iraniane kanë deklaruar se e kanë zhvendosur rezervën e uraniumit të pasuruar në një vend të sigurt dhe sekret.

Kjo rezervë prej uraniumi të pasuruar në nivelin 60%, nëse përpunohet deri në 90% — një hap relativisht i lehtë teknikisht — do të mjaftonte për ndërtimin e rreth nëntë bombave bërthamore, sipas ekspertëve. Pak para nisjes së luftës, Irani e kishte njoftuar ndërtimin e një tjetër objekti të fshehtë për pasurimin e uraniumit, i cili pritej të futej në funksion së shpejti.

Parlamenti iranian ka votuar për ta reduktuar ndjeshëm bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), organi mbikëqyrës bërthamor i Kombeve të Bashkuara. Kjo masë kërkon ende miratim përfundimtar, por nëse kalon, Irani do të jetë vetëm një hap larg nga largimi nga Traktati për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT) – ndërsa mbështetësit e vijës së ashpër, të afërt me liderin suprem, shtyjnë për ndërtimin e një bombe.

Ajatollah Khamenei mund të ndihet tani disi i sigurt se regjimi i tij ia ka dalë të mbijetojë — por me vështirësi të mëdha. Megjithatë, në moshën 86-vjeçare dhe me probleme shëndetësore, ai është gjithashtu i vetëdijshëm se ditët e tij janë të numëruara. Ai mund të përpiqet ta sigurojë vazhdimësinë e regjimit përmes një tranzicioni të rregullt pushteti — qoftë te një klerik tjetër i rangut të lartë, qoftë te një këshill udhëheqësish.

Në çdo rast, komandantët më të lartë të mbetur të Gardës Revolucionare, të njohur për besnikërinë ndaj liderit suprem, mund të kërkojnë të ushtrojnë pushtet në prapaskenë.