Qysh prej orëve të hershme të mëngjesit, qytetarët nisën të mblidheshin në plazhet e Normandisë në Francë, për ta shënuar 79-vjetorin e zbarkimit të Ditës D, kur në 6 qershorin e 1944-s forcat aleate e filluan çlirimin e Evropës Perëndimore nga pushtimi gjerman.
Trupat aleate zbarkuan me 7 mijë varka nëpër plazhet me emrat e koduar - Omaha, Utah, Juno, Sword dhe Gold.
Brenda një dite, 4 mijë e 414 ushtarë aleatë humbën jetën, mes të cilëve 2 mijë e 501 ishin amerikanë. U plagosën edhe më se 5 mijë të tjerë.
E nga radhët e gjermanëve, disa mijëra u vranë apo u plagosën.
Mark Milley, udhëheqësi i shefave të Shtabit të Përbashkët të SHBA-së, që ishte i pranishëm në përkujtimin e Ditës D, bashkë me veteranë të tjerë të Luftës së Dytë Botërore, e përshkroi shkallën e pushtimit atë ditë teksa gjatë fjalimit iu drejtua një grupi veteranësh në shenjë mirënjohjeje e nderimi.
Presidenti francez, Emmanuel Macron, po ashtu mori pjesë në ceremoni për nder të komandos Kieffer, një njësi elitare franceze që ishte mes trupave të para aleate që sulmuan plazhet e Francës veriore, të pushtuar nga nazistët, duke e nisur çlirimin e Evropës Perëndimore gjatë Luftës së Dytë Botërore.