Analisti i pavarur politik, Dmitry Oreshkin, heshtjen e Putinit ia atribuon faktit se ai ka krijuar një sistem politik të ngjashëm me Bashkimin Sovjetik, në të cilin lideri – ose “vozhd” në rusishte, fjalë e përdorur për të përshkruar Josep Stalinin. Nga definicioni i bie se është person që nuk ka mundësi të bëjë gabime.
Kur liderët kryesorë të Rusisë njoftuan në paraqitje televizive se po tërhiqnin trupat nga qyteti kryesor i jugut të Ukrainës, Khersoni, personi që mungonte në atë dhomë ishte presidenti Vladimir Putin.
Teksa ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe gjenerali Sergei Surovikin, udhëheqës i luftës së Rusisë në Ukrainë, po recitonin ngadalë arsyet e tërheqjes para kamerave më 9 nëntor, Putini po bridhte nëpër spitalin neurologjik të Moskës dhe shikoi një doktor tek kryente ndërhyrje kirurgjike në tru.
Më vonë gjatë asaj dite, Putini foli në një tjetër ceremoni, por nuk e përmendi fare tërheqjen nga Khersoni - ndoshta tërheqja më poshtëruese e Rusisë në Ukrainë. Në ditët që pasuan, ai nuk ka komentuar publikisht në lidhje me tërheqjen nga Khersoni.
Heshtja e Putinit po bëhet në periudhën kur Rusia po pëson humbje në luftimet pothuajse nëntëmuajshe. Lideri rus duket se ka deleguar të tjerët për lajmet e këqija – taktikë që e përdori edhe gjatë pandemisë së koronavirusit.
Khersoni ishte kryeqyteti i vetëm rajonal që forcat e Moskës e pushtuan në Ukrainë. Ra në duart e rusëve në ditët e para të pushtimit. Rusia pushtoi qytetin dhe pjesët e tjera të tij për muaj të tërë.
Moska ilegalisht ka aneksuar rajonin e Khersonit së bashku me tri provincat e tjera ukrainase. Putini ishte nikoqir i ceremonisë pompoze në të cilën zyrtarizoi aneksimin, duke pohuar se “njerëzit që jetojnë në Luhanks e Donetsk, Kherson dhe Zaporizhzhia përgjithmonë janë bërë shtetas tanë”.
Vetëm një muaj më vonë flamuri trengjyrësh i Rusisë u hoq nga ndërtesa qeveritare e Khersonit duke u zëvendësuar me flamujt verdheblu të Ukrainës.
Ushtria ruse ka raportuar përfundimin e tërheqjes së plotë nga Khersoni dhe pjesët e tjera të lindjes në lumin Dneiper më 11 nëntor. Që prej asaj dite Putini nuk e ka përmendur fare tërheqjen nëpër paraqitjet e tij publike.
Putini “vazhdon të jetojë me logjikën e vjetër: Kjo nuk është luftë, është operacion ushtarak, vendimet kryesore merren nga rrethi i vogël i profesionistëve teksa presidenti duhet të mbajë distancën”, ka thënë analistja politike Tatyana Stanovaya.
Putini, muaj më parë, ishte raportuar se personalisht po mbikëqyrte fushatën ushtarake në Ukrainë dhe se po u jepte gjeneralëve. Mirëpo këtë javë ishte i përqendruar në gjithçka përveç luftës.
Me zyrtarët e qeverisë ka folur për procedurat e bankrotimit dhe problemet në industrinë e automjeteve. Ai ka zhvilluar takime edhe me udhëheqësit siberianë dhe është takuar me kryetarin e ri të Akademisë së Shkencave.
Të martën Putini mori pjesë në video-takimin e përvjetorit të Luftës së Dytë Botërore. Kjo ishte dita kur ai pritej të fliste në Samitin e G-20-ës që u mbajt në Indonezi, ai jo vetëm që nuk mori pjesë, por nuk dërgoi as ndonjë fjalim të incizuar.
Përvjetori i Luftës së Dytë Botërore ishte dita kur ai foli pak për qytetet ukrainase, mirëpo jo edhe për Khersonin. Pas takimit ai nënshkroi dekrete për qytetet e pushtuara të Melitopolit dhe Mariupolit. Ai nderoi edhe Luhanskun.
Analisti i pavarur politik, Dmitry Oreshkin, heshtjen e Putinit ia atribuon faktit se ai ka krijuar një sistem politik të ngjashëm me Bashkimin Sovjetik, në të cilin lideri – ose “vozhd” në rusishte, fjalë e përdorur për të përshkruar Josep Stalinin. Nga definicioni i bie se është person që nuk ka mundësi të bëjë gabime.
“Putini dhe sistemi i tij... është i ndërtuar në atë formë që për krejt humbjet duhet fajësuar dikë tjetër: armiqtë, tradhtarët, një thikë pas shpine, rusofobinë globale- gjithçka”, ka thënë Oreshkin. “Pra, nëse ka humbur diku, së pari, nuk është e vërtetë, së dyti- nuk ishte ai”.
Disa prej përkrahësve të Putinit kanë vënë në dyshim distancimin e dukshëm në disa prej ngjarjeve që zyrtarët në Kremlin i kanë cilësuar si zhvillime kritike të luftës.
Për Putinin telefonimi i liderëve të Armenisë dhe Republikës së Afrikës Qendrore në kohën e tërheqjes nga Khersoni ishte më problematik sesa “krejt tragjedia e Khersonit”, ka thënë analisti politik pro-Kremlinit, Sergei Markov.
“Së pari nuk u besoja lajmeve, aq e pabesueshme dukej”, ka thënë Markov, duke e cilësuar sjelljen e Putinit si “demonstrim i tërheqjes totale”.
Të tjerët u përpoqën të nxirrnin diçka pozitive nga tërheqja në Kherson dhe të ndërthurnin Putinin në të. Prezantuesi i televizionit pro-Kremlin, Dmitry Kiselev, në emisionin e tij kryesor të lajmeve të dielën mbrëma, ka thënë se logjika pas tërheqjes nga Khersoni ishte “për të shpëtuar njerëzit”.
Sipas Kiselev, i cili foli përpara një fotografie të madhe të Putinit që dukej i preokupuar ka thënë se tërheqja ishte bërë për të shpëtuar qytetarët.
Tërheqjen mund ta shohin edhe disa rusë të zakonshëm, thonë analistët.
“Duke pasur parasysh numrin në rritje të njerëzve që duan bisedime paqeje, madje edhe mes mbështetësve të Putinit, çdo manovër e tillë merret me qetësi apo edhe si shenjë e një kthjellimi të mundshëm – kursim i fuqisë punëtore, mundësia e paqes”, ka thënë Andrei Kolesnikov, bashkëpunëtor në Carnegie Endowment.
Për skifterët e Rusisë – mbështetësit e zëshëm të Kremlinit që kanë bërë thirrje për hapa drastikë në fushën e betejës dhe nuk ishin të emocionuar për tërheqjen e Khersonit – pëlqejnë breshëritë e rregullta sulmesh me raketa në rrjetin elektrik të Ukrainës, ka thënë analisti Oreshkin.
Moska filloi sulmin të martën. Me rreth 100 raketa dhe dronë drejt caqeve anembanë Ukrainës. Ishte sulmi më i madh deri më tani në rrjetin elektrik të vendit dhe zhyti miliona njerëz në errësirë.
Oreshkin beson se sulme të tilla nuk i shkaktojnë shumë dëme ushtrisë së Ukrainës dhe nuk ndryshojnë shumë në fushën e betejës.
“Por është e nevojshme të krijohet imazhi i një ‘vozhdi’ fitimtar. Pra, është e nevojshme të kryhen disa goditje dhe të bërtasin me zë të lartë për këto obligime. Kjo është ajo që ata po bëjnë tani, për mendimin tim”, ka thënë ai.