Njoftimi i Gjermanisë se do ta lejojë furnizimin me armë të Ukrainës i jep fund muajve të rezistencës së Berlinit, pavarësisht thirrjeve të shumta të administratës së presidentit Volodymyr Zelensky se ka nevojë për përkrahjen ushtarake gjermane.
Të shtunën, Gjermania njoftoi se do ta furnizojë Ukrainën me 500 raketa tokë-ajër “Stinger” dhe 1000 armë anti-tank, pak orë pasi njoftoi se i ka dhënë leje Holandës që ta furnizojë Ukrainën me 400 armë antitank.
Publicistit Enver Robelli, vendimi i sotëm i Gjermanisë ia ka kujtuar atë të 1999-s kur Gjermania vendosi të përkrahte sulmet e NATO-s kundër regjimit serb.
“Presioni i madh ndërkombëtar, por edhe i mediave kryesore gjermane po tregon efekt: Gjermania ka lejuar që përmes Holandës të furnizojë Ukrainën me 400 bazuka (armë antitankiste). Edhe Estonia lejohet ta furnizojë Ukrainën me topa që dikur i ka marrë nga Gjermania. Vendimin e kanë bërë të ditur ministrja e Jashtme Annalena Baerbock dhe ministri i Ekonomisë Robert Habeck. Të dy politikanë të partisë së gjelbër. Edhe presioni për të dëbuar Rusinë nga sistemi i pagesave SWIFT duket se e ka bërë Gjermaninë të fillojë një proces për ndryshimin e qëndrimit. Në mediat gjermane kritikat kundër klasës politike në Berlin janë të pamëshirshme. Frankfurter Allgemeine Zeitung shkruan se kjo gjeneratë politikanësh është dështake dhe naive ndaj Rusisë. Der Spiegel dhe Süddeutsche Zeitung theksojnë se ka ardhur koha që të marrin fund fjalët boshe të politikanëve gjermanë”, ka thënë ai në një shkrim në Facebook. “Kancelari Scholz sapo bëri të ditur se sulmi i Rusisë kundër Ukrainës paraqet një kthesë epokale. Për këtë arsye edhe Gjermania tash po bën një kthesë dhe do të furnizojë Ukrainën me 1000 predha kundër tankeve dhe 500 raketa Stinger. Ndonëse nuk mund të krahasohet konteksti, kthesa e sotme gjermane në rastin e Ukrainës të kujton vendimin e qeverisë gjermane më 1999 për të përkrahur sulmet e NATO-s kundër regjimit serb. Atëbotë kthesën e patën bërë ministri i Jashtëm Fischer dhe kancelari Schröder, i cili ndërkohë ka kaluar në taborin e Putinit”.
Vendimin e Gjermanisë e ka përshëndetur presidenti ukrainas. Ai ka thënë se me vendimin e Gjermanisë koalicioni anti-luftë është në aksion.