Ministrit të Brendshëm gjerman, Horst Seehofer i është kërkuar të hënën që ta largojë nga roli i këshilldhënësit drejtorin në largim të intelegjencës së brendshme gjermane, pasi që kryespiuni ka dënuar ato që i ka quajtur politika qeveritare “naive dhe majtiste”, duke paralajmëruar se mund të hyjë në politikë.
Komentet e kryespiunit, të bëra gjatë një takimi të mbyllur të shefave evropianë të intelegjencës dhe të publikuara nga gazeta “Suddeutsche Zeitung” të hënën, rrezikojnë që të rikthejnë përplasjet e vjetra, të cilat koalicioni i kancelares Angela Merkel i kishte zgjidhur pak kohë më parë, shkruan Reuters, transmeton “Koha Ditore”.
Seehofer më parë e kishte shpëtuar nga shkarkimi drejtorin e intelegjencës, Hans-Georg Maassen, pasi që ky i fundit e kishte kontestuar autenticitetin e xhirimeve, në të cilat ekstremistët e krahut të djathtë ndiqnin emigrantët në qytetin lindor të Chemnitzit.
Këtë radhë Maasen, agjencia e të cilës monitoron kërcënimet ekstremiste ndaj rendit kushtetues gjerman, i ka krahasuar xhirimet me propagandë ruse dhe e ka paraqitur veten viktimë të një “ndjekjeje shtrigash” nga “forcat e të së majtës radikale” në Partinë Socialdemokratike (SPD), partnere e vogël e koalicionit të Merkelit.