Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kryeministri suedez: Varja e “Erdoganit kukull” është sabotim i përpjekjeve tona për të qenë në NATO

Një version kukull i presidentit turk Recep Tayyip Ergogan, i varur në qendër të Stokholmit, ka ndezur një stuhi reagimesh negative në Ankara, mes marrëdhënieve tashmë të tensionuara mes dy vendeve lidhur me kërkesën e Suedisë për t'u anëtarësuar në NATO.

Edhe qeveria suedeze e dënoi këtë veprim. Kryeministri Ulf Kristersoon ka thënë se ky është sabotim i përpjekjes së Suedisë dhe Finlandës për të hyrë në NATO.

"Ky është sabotim i përpjekjeve të Suedisë dhe Finlandës për t'u bashkuar me NATO-n. Qëllimi i qartë është të parandalohet kjo hyrje. Unë e kuptoj zemërimin e Turqisë për këtë. Ne do të ishim po aq të zemëruar nëse kjo do të ndodhte në një vend tjetër kundër një politikani kryesor suedez”, ka thënë Ulf Kristersson.

Supozohet se aksioni është kryer nga lëvizjet kurde. Autoritetet turke i quajnë si mbështetës të Partisë së Punëtorëve të Kurdistanit dhe mbi këtë bazë akuzojnë Suedinë se nuk i përmbush premtimet e saj për të ndaluar mbështetjen e organizatave të tilla.

Pak ditë më parë, Suedia kishte thënë se kishin plotësuar kushtet që Turqia u kishte vendosur vendeve skandinave për të miratuar kërkesën e tyre për hyrje në Aleancë.