Benjamin Netanyahu ka thënë se ndihet shumë mirë pasi u dërgua në një spital në Tel Aviv për atë që mjekët përcaktuan se ishte dehidratim, shkruan The Guardian.
Kryeministri i Izraelit lëshoi një video-deklaratë disa orë pasi u shtrua në spital. Në deklaratë, Netanyahu ka thënë se kishte dalë në diell pa kapelë.
“Falë Zotit, ndihem shumë mirë”, ka thënë ai duke falënderuar ekipin mjekësor dhe publikun për mesazhet e mbështetjes.
Ai pati një kërkesë për njerëzit – duke i lutur që të pinin sa më shumë ujë mes vapës së madhe që ka kapluar shumicën e botës.
Netanyahu, 73 vjeç, është në spitalin Sheba të Izraelit, ku vazhdon t'i nënshtrohet testeve mjekësore. Dehidratimi iu shkaktua nga vapa e madhe.