Armenia mund të përballet me luftë me Azerbajxhanin nëse nuk arrin kompromis me Bakun dhe t’i kthejë katër fshatra të Azerbajxhanit që i ka pasur nën pushtim që nga vitet 1990, ka thënë kryeministri i Armenisë Nikol Pashinyan.
Pashinyani ka folur gjatë një takimi të hënën me banorët e zonave kufitare në rajonin verior të Armenisë, Tavush, afër fshatrave të braktisur të Azerbajxhanit, të cilat Jerevani i ka kontrolluar që nga vitet 1990, ka raportuar Reuters.
Katër fshatrat, të cilat kanë qenë të pabanuara për mbi 30 vjet, kanë vlerë strategjike për Armeninë meqë shtrihen në rrugën kryesore kufitare mes Jerevanit dhe Gjeorgjisë.
Azerbajxhani ka thënë se kthimi i tokave të veta, të cilat përfshijnë edhe disa enklava të vogla të rrethuara nga territori armen, është parakusht i domosdoshëm për një marrëveshje paqeje për të ndaluar konfliktin prej tri dekadash për rajonin e Nagorno-Karabakhut, të cilin forcat e Bakut e kanë rimarrë shtatorin e kaluar.
“E di se di do të përfundonte një luftë e tillë”, ka thënë Pashinyani.
Jerevani ka pësuar disfatë të madhe shtatorin e kaluar kur forcat e Bakut kanë rimarrë Nagorno-Karabakhun përmes një ofensive, duke shtyrë 100,000 armenë të rajonit për të ikur në Armeni.