Gjetjet, të publikuara nga organizata hulumtuese mediale me seli në Amsterdam “Lighthouse Reports”, shpalosin se si forcat e maskuara të sigurisë dhe të njësive policore në këto tri shtete, anëtare të BE-së, kanë ndërmarrë vazhdimisht operacione të koordinuara dhe klandestine për t’ua pamundësuar azilkërkuesve kalimin në kufijtë e tyre
(Al-Jazeera) – Kroacia, Greqia dhe Rumania kanë ndërmarrë me qindra operacione të jashtëligjshme për zmbrapsjen e emigrantëve në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian që nga fillimi i vitit 2020, si pjesë e një “fushate të dhunshme” për t’ua mohuar qasjen azilkërkuesve, ka bërë të ditur një raport i ri.
Gjetjet, të publikuara nga organizata hulumtuese mediale me seli në Amsterdam “Lighthouse Reports”, shpalosin se si forcat e maskuara të sigurisë dhe njësitë policore në këto tri shtete, anëtare të BE-së, kanë ndërmarrë vazhdimisht veprime të koordinuara dhe klandestine për t’ua pamundësuar azilkërkuesve kalimin në kufijtë e tyre.
Transmetuesi Al-Jazeera ka raportuar se këto pretendime i rrisin shqetësimet mes grupeve të të drejtave të njeriut, të cilat kanë dokumentuar përdorimin në rritje të dhunës në operacionet e tilla.
Nën të drejtën ndërkombëtare dhe ligjet e BE-së për të drejtat e njeriut, është e paligjshme që shtete t’i dëbojnë automatikisht njerëzit pa i vlerësuar rrethanat e tyre. Ligji i BE-së e garanton gjithashtu të drejtën për të kërkuar azil.
Hulumtimi i “Lighthouse Reports” është zhvilluar gjatë një periudhe tetëmujore, në bashkëpunim me partnerët medialë në Evropë, përfshirë gazetën gjermane Der Spiegel dhe atë franceze Libération.
Edhe
Të sulmuar e të grabitur: Refugjatët rrëfejnë për abuzimet në kufirin Bosnjë - Kroaci
Me anë të videoxhirimeve, imazheve satelitore, dëshmisë së dëshmitarëve dhe intervistave me më shumë se dhjetëra policë në detyrë dhe zyrtarë të kufirit, grupi ka evidentuar se të paktën 189 personave u është mohuar jashtëligjshëm qasja në sistemin evropian të azilit.
“Lighthouse Reports”, sipas Al-Jazeeras, ka dokumentuar 11 raste të tilla të zmbrapsjes në Kroaci, vend ky më i ri anëtar i BE-së, midis muajve maj dhe shtator të këtij viti. Shumica kanë ndodhur në katër lokacione përgjatë kufirit të vendit me Bosnjë e Hercegovinën.
“Policia kroate ka ndërmarrë zmbrapsjet si pjesë e një strategjie kombëtare, me emrin e koduar ‘Koridor’, që është pjesërisht i financuar nga BE-ja”, i ka thënë organizatës hulumtuese një sinjalizues nga policia, ka raportuar Al-Jazeera.
Në një operacion të qershorit, një grup i afganëve dhe pakistanezëve që po kërkonin azil ishin përballur me policinë kroate, porse janë shtrënguar që të kalojnë përtej lumit Korana, për kthim prapa në Bosnjë. Gjatë zmbrapsjes drejt Bosnjë e Hercegovinës, policia pretendohet se ka rrahur refugjatët me shkopinj, duke u shkaktuar mavijosje.
Al-Jazeera nuk ka qenë në gjendje që t’i verifikojë në mënyrë të pavarur këto pretendime, por një videoxhirim i realizuar nga “Lighthouse Reports” pretendohet se i shfaq pamjet e disa personave që e kalojnë lumin teksa rrihen nga së paku dy individë të armatosur, të veshur krejtësisht në të zeza dhe duke bartur maska.
Jelena Sesar nga “Amnesty International” ka thënë se është “e qartë” që burrat e maskuar ishin policë kroatë, pasi që uniformat, armët dhe pajisjet e tyre ishin identike me ato që i përdorin pjesëtarët e këtij njësiti.
“Kjo është dëshmia më e fundit që tregon se zmbrapsjet e paligjshme dhe dhuna kundër azilkërkuesve dhe emigrantëve janë të zakonshme në kufijtë e jashtëm të BE-së”, ka thënë Sesar për Al-Jazeeran. “Në shumë vende... njerëzit në kërkim të sigurisë dhe mbrojtjes po përballen me telat me gjemba dhe me rojat e armatosura kufitare”, ka theksuar ajo, duke shtuar se politika e BE-së për emigracionin “ka vite që e ka bërë sigurinë kufitare prioritare kundruall të drejtave të njeriut dhe vlerave të saj fondamentale”.
Edhe
Brutaliteti në kufijtë evropianë - Policia kroate akuzohet për djegien e pasaportave të azilkërkuesve
Në Greqi, “Lighthouse Reports” ka mbledhur videoxhirimet publike për 635 raste të pretenduara të zmbrapsjes që nga marsi i 2020-s. Ka raportuar se individë me maska janë përfshirë në 15 incidente, përfshirë njërën në të cilën 25 azilkërkuesve u është ndaluar mbërritje në ishullin Kos të Egjeut. Ndërkaq, në Rumani, organizata mediale ka përdorur kamera të teledirigjuara për të filmuar rojat kufitare që i shtrëngojnë burrat dhe gratë të kthehen në Serbi, në të paktën tri incidente të ndara.
Catherine Woollard, drejtoreshë e Këshillit të Evropës për Refugjatë dhe Azilkërkues, ka thënë për Al-Jazeeran se gjetjet u shtohen “dëshmive përherë e më të shumta se operacionet e zmbrapsjes po ndodhin në mënyrë sistematike në kufijtë e BE-së me bashkëpunimin e bllokut”.
Kroacia nis hetimet
Zyrtarët kroatë kanë bërë të ditur të enjten se autoritetet i kanë nisur hetimet lidhur me pretendimet e fundit se policia kufitare ka përdorur dhunë për t’i zmbrapsur emigrantët që tentonin të hynin në vend nga Bosnjë e Hercegovina.
Ministri i Brendshëm, Davor Bozhinoviq, ka thënë se është formuar një ekip special policor, pas shfaqjes së një videoxhirimi, në të cilin trupat e pretenduara kufitare të Kroacisë shihen teksa i rrahin emigrantët me shkopinj. Videoja e xhiruar nga organizata e pavarur mediale “Lighthouse Reports”, me seli në Holandë, shfaq burra të uniformuar që godasin emigrantët nëpër pyje, derisa ata ikin. Disa prej këtyre emigrantëve pretendohet të ishin të mitur.
Xhirimi thuhet se është realizuar në një zonë afër kufirit me Bosnjën dhe se policët janë identifikuar si pjesëtarë të Policisë kroate të Ndërhyrjes.
Edhe
Raporti: 26% e migrantëve të parregullt kaluan në Evropë nga rruga ballkanike gjatë 2023-tës
Gazetarët hulumtues, Klaus van Dijken dhe Lamia Sabiq, kanë thënë se e kanë filmuar ngjarjen me anë të një kamere vendosur afër Sturliqit, në anën boshnjake të kufirit.
Policia kroate është akuzuar vazhdimisht për përdorimin e dhunës kundër personave që ikin nga lufta dhe varfëria në vendet e tyre. Por, zyrtarët shtetërorë i kanë mohuar pretendimet në të kaluarën.