Botë

Policia kroate piketoi emigrantët me grupin sekret në WhatsApp

Kroacia, anëtare e Bashkimit Evropian, vazhdimisht është përballur me akuzat për dëbimin e emigrantëve, praktikë që është e jashtëligjshme me traktatet ndërkombëtare për refugjatë. Gjatë dëbimeve, autoritetet shpesh kanë përdorur forcën

(AP) - Një portal i pavarur i lajmeve ka raportuar të enjten se zyrtarët kroatë dhe policia kanë përdorur një grup klandestin në aplikacionin e mesazheve në WhatsApp për të shpërndarë informacione të ndjeshme për emigrantët që po tentonin të hynin në Kroaci pa autorizim.

Hulumtimi i publikuar nga “Lighhouse Reports”, tregon se shumë emigrantë të monitoruar më vonë janë dëbuar me forcë nga Kroacia, veprim i jashtëligjshëm me traktatet ndërkombëtare.

Policia kroate ka mohuar veprimet e jashtëligjshme.

“Lighthouse Reports” ka pranuar 60 dëshmi të grupit dhe ka arritur të identifikojë 33 pjesëmarrës të këtij grupi që ishte përdorur mes gushtit 2019 deri në shkurtin e vitit 2020.

“Kemi zbuluar se grupi përbëhej nga zyrtarë të lartë kroatë”, thuhej në raportin me titull: “Brenda grupit sekret të Kroacisë në WhatsApp”. “Grupi është përdorur për të shkëmbyer informacione rreth kapjes së 1 mijë e 300 personave kryesisht nga Afganistani, Pakistani dhe Siria”.

Mesazhet shpesh përfshinin fotografi të individëve, fytyrat e të cilëve shiheshin qartë dhe shumë prej tyre ishin detyruar të shtriheshin përtokë ose të hiqnin të mbathurat. Grupi gjithashtu ishte përdorur për informacione rreth gazetarëve që raportonin nga zona kufitare.

Në këtë raport thuhet se grupi i WhatsAppit “ishte jashtë linjave të komunikimeve shtetërore dhe larg nga procedurat e monitorimit dhe ka indikacione të forta se shtetasit e huaj që përmenden në mesazhe ishin cak i dëbimeve ilegale”.

Raporti i “Lighthouse” është realizuar në bashkëpunim me Der Spiegel, Nova TV, Novosti, Telegram dhe ORF.

Në një kopje të mesazheve shfaqej Jelena Bikiq, shefe e Zyrës për media në Ministrinë e Brendshme të Kroacisë. Ajo raportonte në grup se agjencia e lajmeve “Associated Press” kishte kërkuar leje për ta shoqëruar policinë në patrullimin e kufirit me Bosnjën.

“Do ta refuzojmë kërkesën, pra presim që ata të filmojnë vetë”, kishte shkruar Bikiq.

Zyrtarët kroatë kanë thënë se nuk mund të konfirmojnë as mohojnë origjinalitetin e fotografive të publikuara në raport. Ministri i Brendshëm, Davor Bozhinoviq, ka pranuar ekzistencën e operacionit policor me emrin “Korridori” që është përmendur në raportin e portalit. Ai ka thënë se operacioni kishte për qëllim ndaljen e migrimit ilegal dhe trafikimin e njerëzve.

“Nuk mund të dimë nëse mesazhet janë autentike”, ka thënë Bozhinoviq. “Korridori II-Perëndimi nuk është operacion sekret. Është veprim i kryer kundër trafikimit të emigrantëve dhe është realizuar në pesë vjetët e fundit”.

Kroacia, anëtare e Bashkimit Evropian, vazhdimisht është përballur me akuzat për dëbimin e emigrantëve, praktikë që është e jashtëligjshme me traktatet ndërkombëtare për refugjatët. Gjatë dëbimeve autoritetet shpesh kanë përdorur forcën.

Emigrantët ia mësyjnë Kroacisë nëpërmjet Bosnjës ose Serbisë. Zakonisht vijnë nga Turqia ose Greqia, shkojnë në Maqedoninë e Veriut e Serbi dhe nga këtu kalojnë në Bosnjë. Stacioni i tyre i fundit janë shtetet e Evropës Perëndimore.

Përktheu: Gent Mehmeti