Udhëheqësi i shumicës republikane në Senatin amerikan, Mitch McConnell, tha se nuk ka qenë në Shtëpinë e Bardhë qysh në gusht, për shkak të mënyrës se si e ka trajtuar pandeminë COVID-19.
McConnell, 78 vjeç, i mbijetuar nga poliomieliti, tha se ka folur shpesh me presidentin Donald Trump përmes telefonit, por nuk ka qenë për vizitë qysh më 6 gusht.
Prejse Trump është diagnostikuar me sëmundjen COVID-19, më 2 tetor, dhjetëra vetë nga rrethi i tij dhe stafi i Shtëpisë së Bardhë kanë dalë po ashtu pozitivë.
Zonja e Parë, Melania, sekretarja për media, Kayleigh McEnany, dhe këshilltari i presidentit, Stephen Miller, janë në mesin e të infektuarve.
Dy senatorë republikanë - Mike Lee dhe Thom Tillis - gjithashtu kanë rezultuar pozitivë, pasi kanë marrë pjesë në një ngjarje në Shtëpinë së Bardhë, edhe pse nuk është e qartë se ku e kanë marrë virusin.
Duke folur për gazetarët në Kentaki, McConnell tha se vërja e maskës dhe distanca sociale janë mënyra më e mirë për të luftuar virusin, derisa të zbulohet vaksina.
“Është e vetmja mënyrë që dimë për parandalimin e përhapjes, derisa ta kemi një vaksinë”, tha ai.
Edhe
Trumpi me virus dëshiron t’i kthehet fushatës
Edhe pse McConnell ka bërë vazhdimisht thirrje për mbajtje të maskës dhe distancë sociale, ai nuk e ka bërë të detyrueshme maskën në Senat.
Si udhëheqës i shumicës së dhomës së sipërme, ai është përgjegjës për krijimin e rregullave të tilla.
Në fund të korrikut, udhëheqësja demokrate e Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi, ka urdhëruar mbajtjen e maskës në dhomën e ulët, pasi një kongresist ka dalë pozitiv me COVID-19.