Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kremlini: Do të vazhdojmë operacionin në Ukrainë derisa t’i arrijmë qëllimet

Rusia do të vazhdojë operacionin e saj ushtarak në Ukrainë derisa t’i arrijë të gjitha qëllimet e saj, ka thënë të premten zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, shkruan Reuters.

"Një nga qëllimet kryesore të operacionit është mbrojtja e njerëzve në Donetsk dhe Luhansk. Janë marrë masa për të siguruar mbrojtjen e tyre dhe janë arritur rezultate të caktuara", ka thënë Peskov duke iu referuar dy rajoneve separatiste të Ukrainës.

Tashmë janë shënuar 100 ditë që kur Rusia nisi sulmin e saj në Ukrainë më 24 shkurt.

Rusia po arrin "sukses taktik" në rajonin lindor të Donbasit të Ukrainës, por kjo ka një "kosto të konsiderueshme burimesh", bëri të ditur të premten Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar.

Sipas kësaj ministrie, mbeten pyetjet rreth vendimit të Moskës për të përqendruar kaq shumë "forcë dhe zjarre" në një pjesë të vetme të fushatës së përgjithshme.

Megjithatë, 90% e Luhanskut – pjesë e rajonit të Donbasit tani kontrollohet nga Rusia, thuhet në përditësimin.