Botë

Kremlini: Deklaratat e Trumpit për Rusinë dhe Putinin janë serioze

Vladimir Putin

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë të martën se deklaratat më të fundit të presidentit amerikan, Donald Trump, përfshirë kërcënimin me tarifa ndaj shteteve që blejnë eksportet ruse, janë serioze dhe duhet të analizohen, ka shkruar Reuters.

Trumpi kishte njoftuar të hënën, gjatë takimit me shefin e NATO-s, Mark Rutte, se do të dërgonte armatim të sofistikuar në drejtim të Ukrainës, si dhe ka paralajmëruar se do të vendosë “tarifa të rënda” ndaj vendeve të cilat blejnë mallra e shërbime ruse, në qoftë se Rusia s’pajtohet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

I pyetur lidhur me zhvillimet e fundit, Peskov ka thënë se “këto deklarime të presidentit amerikan janë shumë serioze, dhe se disa prej tyre i adresohen personalisht presidentit Putin”.

“Natyrisht se na duhet kohë për të analizuar se çfarë u tha në Washington. E nëse presidenti Putin e sheh të nevojshme për t’u përgjigjur, atëherë ai absolutisht do të ofrojë komentet e tij”, ka shtuar Peskov.

Tek iu ka referuar lajmeve për dërgesa të reja armësh në Kiev, zëdhënësi i Kremlinit ka theksuar se “vendimet që po merren në Washington, në vendet e NATO-s dhe drejtpërdrejt në Bruksel, po perceptohen nga pala ukrainase jo si sinjal për paqe, por si sinjal për të vazhduar luftën”.

Ai ka ripërsëritur qëndrimin se Rusia është e gatshme për të vazhduar negociatat e drejtpërdrejta me Ukrainën, dhe se është ende duke pritur për sinjalet e Kievit se kur mund të zhvillohet rundi i tretë negociator.

Lexo përditësimet tjera
Trump

Trump: Jam i zhgënjyer, por ende s’kam përfunduar punë me Putinin

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë gjatë një telefonate ekskluzive për...