Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Koronavirusi mund të jetë përhapur në Kinë qysh në tetorin e 2019-s

Foto: Reuters

Virusi që e shkaktoi pandeminë COVID-19 mund të ketë nisur së përhapuri në Kinë qysh në tetorin e 2019-s, dy muaj para se rastet e para të sëmundjes të shfaqeshin në qytetin Wuhan.

Një përfundim i tillë është nxjerrë nga studimi më i ri i kryer nga Universitetit britanik Kent.

Shkencëtarët kanë përdorur metodat nga shkenca e konservimit për të vlerësuar se virusi është shfaqur nga fillimi i tetorit deri në mes të nëntorit.

Ata kanë vlerësuar se data e shfaqjes së virusit ka gjasa të jetë 17 nëntori i vitit 2019, ndërkaq në botë është shpërndarë në janarin e 2020-s.

Rasti i parë në Kinë është konfirmuar zyrtarisht në dhjetorin e 2019-s dhe ishte i lidhur me një treg të ushqimit të detit. Megjithëkëtë, studimi ka treguar se rastet e para nuk dihet nëse kanë pasur ndonjë lidhje me tregun, duke e rritur kësisoj mundësinë se virusi mund të ketë qarkulluar edhe para se të arrinte në tregun e ushqimit të detit.

Studimi i përbashkët i Kinës dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë e kishte pranuar më herët mundësinë se infektimi i njerëzve ka mundur të ndodhte para se të niste përhapja në Wuhan.