Franca dhe aleatët e saj evropianë do të tërheqin trupa e tyre nga Mali, pas afërsisht një dekade, ka bërë të ditur presidenti francez, Emmanuel Macron.
Trupat që do të tërhiqen kanë qenë të përfshira në luftën kundër militantëve islamistë në Mali, që nga viti 2013.
Macron tha se vendimi për t'u larguar pasoi një prishje të marrëdhënieve diplomatike, në mes të armiqësisë në rritje nga junta ushtarake qeverisëse e Malit.
Forcat do të ridislokohen diku tjetër në rajonin Sahel të Afrikës.
“Ne nuk mund të mbetemi të angazhuar ushtarakisht përkrah autoriteteve de-fakto, strategjinë dhe synimet e fshehura të të cilave nuk i ndajmë”, ka thënë Macron në një konferencë shtypi në Paris të enjten.
Ai hodhi poshtë pretendimet se tërheqja ishte një pranim i dështimit dhe këmbënguli se Franca mbeti e angazhuar për të luftuar kryengritjet islamike në rajon. Ai shtoi se Nigeri kishte rënë dakord të presë disa nga forcat që tërhiqeshin.
"Franca ka luajtur një rol unifikues në këtë mobilizim ndërkombëtar në favor të Sahelit”, ka thënë ai.
Edhe
Macron kërcënon me tërheqjen e trupave nga Mali për shkak të radikalizmit islamik
Tërheqja e planifikuar, e cila pritet të ndodhë gjatë një periudhe katër deri në gjashtë muaj, u njoftua pas takimit të liderëve evropianë dhe afrikanë në Pallatin Elysée të mërkurën mbrëma.
Në një deklaratë të lëshuar të enjten në mëngjes, vendet e përfshira në Task Forcën Takuba të udhëhequr nga Franca, thanë se kishin rënë dakord të përcaktojnë plane se si të mbeten të përfshirë në mënyrë aktive në rajon, më së shumti në Niger dhe në vendet e Gjirit të Guinesë, deri në qershor.
Pothuajse 5,000 trupa franceze janë vendosur në rajonin e Sahelit për të luftuar kryengritjet islamike si pjesë e Operacionit Barkhane, me rreth 2,400 prej tyre të vendosura në tre baza në Malin verior.