Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kompania e kozmetikës “Revlon” shpall falimentimin në SHBA

Prodhuesi i kozmetikës Revlon ka shpallur falimentim në SHBA, me arsyetimin se ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit kanë rritur koston e lëndëve të para për produktet e tij.

Firma 90-vjeçare thotë se ka pasur gjithashtu vështirësi me pagesat e furnizuesve, inflacionin dhe mungesën e fuqisë punëtore, raportoi BBC të premten.

Kompania thotë se pret të marrë 575 milion dollarë nga huadhënësit e saj ekzistues për të mbështetur operacionet e përditshme.

Aksionet e saj humbën më shumë se 13% në tregtimin e New Yorkut pas njoftimit.

Në një dosje gjyqësore, kompania tha se ndërprerjet e zinxhirit të furnizimit kishin shkaktuar një konkurrencë të fortë për përbërësit e përdorur në kozmetikën e saj. Ajo shtoi se furnitorët kanë kërkuar gjithashtu të paguhen për porositë paraprakisht.

“Kjo ka shkaktuar mungesa të përbërësve të nevojshëm në të gjithë portofolin e kompanisë. Për shembull, një tub buzëkuqi Revlon kërkon 35 deri në 40 lëndë të para dhe pjesë përbërëse, secila prej të cilave është esenciale për nxjerrjen e produktit në treg”, tha në dosje shefi i ristrukturimit të Revlonit, Robert Caruso.

Përveç markës Revlon, kompania zotëron gjithashtu emra të njohur si Elizabeth Arden, Almay dhe Cutex, si dhe aroma të drejtuara nga Christina Aguilera dhe Britney Spears.

Kompania vitet e fundit është përballur me konkurrencë të shtuar nga markat e reja si ato të mbështetura nga të famshëm si: Kylie Cosmetics e Kylie Jenner dhe Fenty Beauty e Rihannas.

Revlon u formua në vitin 1932 nga vëllezërit Charles dhe Joseph Revson dhe Charles Lachman. Nga mesi i viteve 1950 ajo ishte bërë një markë ndërkombëtare.

Ajo u ble nga MacAndrews & Forbes e biznesmenit miliarder, Ronald Perelman, në vitin 1985. Revlon tani shet produktet e saj në më shumë se 150 vende.

Artikuj të ngjashëm