Marka e bukurisë “Rhode”, e themeluar nga modelja dhe sipërmarrësja Hailey Bieber, u ble nga kompania amerikane e kozmetikës “e.l.f. Beauty” për 1 miliard dollarë, ka raportuar CNN.
Kjo është blerja më e madhe që ka bërë ndonjëherë “e.l.f.”, duke tejkaluar blerjen e markës së kujdesit për lëkurën “Naturium” për 355 milionë dollarë vitin e kaluar.
“Rhode”, e lansuar në vitin 2022, realizoi 212 milionë dollarë të ardhura neto gjatë vitit të fundit fiskal. Po këtë vit, kompania ka njoftuar se produktet e saj do të jenë në shitje edhe në dyqanet Sephora në Amerikën e Veriut dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Hailey Bieber do të vazhdojë të jetë pjesë e rëndësishme e markës, duke mbajtur rolin e kryeshefes krijuese dhe drejtuese e inovacionit, konfirmoi kompania. Ajo është themeluesja dhe aktualisht drejtuesja kreative e “Rhode”.
Falë ndikimit të saj të fuqishëm në rrjetet sociale, si përpara martesës me këngëtarin Justin Bieber ashtu edhe tsah, markës i është shtuar një komunitet besnik ndjekësish që shpesh rrinë me orë në radhë për dyqanet e vogla të “Rhode” dhe bëjnë që produktet të shiten shpejt në faqen zyrtare.
“Një nga gjërat që na pëlqen te ‘Rhode’ është fakti që ka përzgjedhje shumë të fokusuar produktesh, vetëm 10 produkte në kujdesin e lëkurës, kozmetikë dhe aksesorë”, ka thënë drejtori ekzekutiv i “e.l.f.”, Tarang Amin.
Ndërkohë, “e.l.f. Beauty” është markë lidere në tregun e kozmetikës për të rinjtë dhe sipas një sondazhi të firmës Piper Sandler, është marka më e preferuar nga adoleshentët në SHBA. Kompania ka deklaruar se do të ndihmojë “Rhode” të rritet në tregun me pakicë dhe të zgjerohet në nivel global.
Tarifat e Trumpit dhe ndikimi në kozmetikë
Kjo marrëveshje vjen në një moment delikat për “e.l.f.”, pasi kompania ndodhet përballë tarifave të larta ndaj produkteve të importuara nga Kina, të vendosura nga presidenti amerikan Donald Trump.
Sipas kompanisë, 75% e prodhimit global të saj vjen nga Kina dhe tani i nënshtrohet tarifave deri në 55%, përfshirë ato të vendosura që nga viti 2019. Për këtë arsye, “e.l.f.” do t’i rrisë çmimet me 1 dollar për të gjitha produktet nga 1 gushti, duke prekur edhe gamën e saj buxhetore, shumica e së cilës kushton nën 10 dollarë.
Megjithatë, “e.l.f.” nuk planifikon të ndryshojë modelin e saj të prodhimit.
“Besojmë se zinxhiri ynë i furnizimit i bazuar në Kinë është avantazh konkurrues që kemi ndërtuar për 21 vjetët e fundit… dhe mbetemi të përkushtuar ndaj ekipit dhe furnitorëve tanë në Kinë,” ka deklaruar kompania në të njëjtën thirrje me investitorët.
Detajet e marrëveshjes
Marrëveshja përfshin 800 milionë dollarë në para dhe aksione, ndërsa 200 milionë të tjera do të paguhen në varësi të performancës së “Rhode” në tre vitet e ardhshme. Finalizimi i saj pritet të ndodhë më vonë gjatë këtij viti.