Këngëtarja e njohur Rihanna ka humbur afërsisht 36 milionë dollarë pas dështimit të linjës së saj të modës luksoze në bashkëpunim me gjigantin francez “Louis Vuitton & Moët Hennessy (LVMH)”.
Në vitin 2019, këngëtarja 37-vjeçare kishte lansuar markën e veshjeve të nivelit të lartë “Fenty” nën emrin tregtar “Project Loud France”, një referencë për albumin e saj të pestë “Loud”. Investimi i saj ishte i madh: Rihanna kishte kontribuar me rreth 29.9 milionë euro, ndërsa LVMH kishte shtuar afërsisht 30 milionë euro.
Megjithatë, në vitin 2021, projekti u ndërpre për shkak të një “rishikimi strategjik”, duke u fokusuar në markat e tjera më fitimprurëse të Rihannës, kozmetikën “Fenty Beauty” dhe linjën e veshjeve të brendshme “Savage X Fenty”.
Sipas raportimeve të “Daily Mail”, e cila ka analizuar llogaritë e degës britanike “Denim UK Holdings”, përmes së cilës Rihanna kishte investuar, këngëtarja ka humbur rreth 36 milionë dollarë nga kjo nismë.
“FemaleFirst” raporton se media britanike ka shkruar se përpjekjet e saj “dështuan” dhe biznesi u mbyll në vitin 2021, pjesërisht për shkak të pandemisë.
Edhe
Rihanna, frymëzimi që vazhdon të magjepsë botën
Në atë kohë, raportimet theksonin se kufizimet e udhëtimit gjatë Covid-19 e penguan Rihannën të udhëtonte në Paris për të vizituar atelienë ose në Itali, ku prodhoheshin veshjet.
Koleksioni i parë i “Fenty” kishte ngjallur vëmendje për çmimet e larta: një xhaketë teksasi e mbushur me lesh kushtonte afro 1,000 dollarë, ndërsa një fustan-korset rreth 810 dollarë. Linja pozicionohej në segmentin ultra-premium të tregut, ndryshe nga produktet më të përballueshme të “Fenty Beauty” dhe “Savage X Fenty”.
“LVMH dhe Rihanna riafirmojnë ambicien e tyre për t’u përqendruar në rritjen dhe zhvillimin afatgjatë të ekosistemit Fenty, duke u fokusuar në kozmetikë, kujdesin e lëkurës dhe veshjet e brendshme”, thuhet ne deklaratën e përbashkët të Rihannas dhe LVMH-së për mbylljen e projektit.
Ani pse brendi “Project Loud France” ishte regjistruar zyrtarisht në Paris, nuk arriti ndikimin e pritur në tregun e modës luksoze.
Humbja përfaqëson një nga dështimet e rralla në karrierën e biznesit të Rihannës, e cila zakonisht është sinonim i suksesit. Tani, ajo ka pasuri që vlerësohet të jetë mbi 1 miliard dollarë, falë brendeve të saj revolucionare në fushën e bukurisë dhe modës.
E zbuluar si adoleshente nga producenti Evan Rogers, Rihanna u bë ikonë globale me hite si “Umbrella” dhe “We Found Love”.
Përveç muzikës, ajo ka ndërtuar një perandori miliardëshe me “Fenty Beauty” dhe “Savage X Fenty”, të cilat janë vlerësuar për përfshirjen dhe inovacionin.
Edhe
Rihanna bashkë me vajzën Rocki mbulojnë ballinën e revistës W
Me nëntë çmime “Grammy”, më shumë se 250 milionë disqe të shitura dhe role në filma si “Ocean’s 8”, Rihanna mbetet një nga figurat më me ndikim të kulturës pop.