Botë

Kina kritikon praninë e luftanijes britanike afër Tajvanit

Anija ushtarake britanike afër Tajvanit, alarmohet Kina

Foto: Associated Press

Ushtria kineze e ka kritikuar të premten lundrimin e luftanijes britanike përmes ngushticës së Tajvanit, duke e quajtur përpjekje të qëllimshme për të “shkaktuar probleme”, teksa presidenti tajvanez, Lai Ching-te, i ka urdhëruar forcat e vendit që të shtojnë monitorimin si kundërpërgjigje ndaj aktiviteteve ushtarake të Kinës afër ishullit autonom.

Kina, e cila e pretendon Tajvanin si territor të vetin, ka intensifikuar stërvitjet ushtarake përreth ishullit gjatë viteve të fundit, përfshirë organizimin e manovrave luftarake që e kanë alarmuar Tajvanin, Washingtonin dhe Tokion.

“Veprimet e palës britanike shkaktojnë probleme dhe i trazojnë gjërat, duke cunguar paqen dhe stabilitetin në ngushticën e Tajvanit”, thuhet në njoftimin e ushtrisë kineze.  “Trupat tonë janë në nivel të lartë gatishmërie në çdo kohë dhe do të kundërpërgjigjen ndaj çdo kërcënimi dhe provokimi”.

Në Marinën Mbretërore të Britanisë së Madhe kanë njoftuar se anija patrulluese Spey kishte kryer një lëvizje rutinë përmes kanalit të ngushtë detar, në kuadër të një skeme të planifikuar qëmoti dhe në përputhje me të drejtën ndërkombëtare.

Autoritetet kineze e konsiderojnë ngushticën si pjesë të ujërave kineze, ndonëse Tajvani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tjerë thonë se kanali detar hyn në kuadër të ujërave ndërkombëtare.