Misioni i Kinës në Bashkimin Evropian i ka bërë thirrje NATO-s të martën që t’i japë fund ekzagjerimit të “teorisë së rrezikut nga Kina”, pasi që liderët e grupit kanë paralajmëruar se vendi ka shënuar “ndryshime sistematike”.
Liderët e NATO-s të hënën janë shfaqur të ashpër ndaj Pekinit në komunikatën e samitit, në të cilin Joe Bideni ka marrë pjesë për të parën herë si president i Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Presidenti amerikan u ka kërkuar liderëve të NATO-s që të mos e lejojnë autoritarizmin dhe ngritjen ushtarake të Kinës, pasi që kësisoj do të tjetërsohej synimi për të cilin edhe është krijuar Aleanca, e që ishte mbrojtja e Evropës nga Bashkimi Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.
Kina është kundërpërgjigjur duke pretenduar se NATO-ja ka “shpifur” rreth zhvillimit paqësor të Kinës, ndërsa qëndrimin e saj e ka cilësuar si “mentalitet të Luftës së Ftohtë”.
Në takimin e fundjavës të G7-s, Kina është kritikuar ashpër gjithashtu për shkeljen e të drejtave të njeriut në Xinjiang, si dhe për Hong-Kongun, ndërsa i është kërkuar që të ndërmarrë hetime të hollësishme rreth origjinës së koronavirusit.