Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kidman vazhdon të kritikohet për përjashtimin nga karantina

Nicole Kidman është përsëri në qendër të vëmendjes, pasi nxiti reagime në Hong-Kong kur qeveria lokale e amnistoi nga rregullat e detyrueshme të karantinimit për ta xhiruar serinë e re televizive, “Expats”.

Deputeti i internuar i Hong-Kongut, Ted Hui, e ka kritikuar aktoren australiane si ‘të pandjeshme’ dhe e ka lutur që të flasë me grupin e tij për çështje politike në rajonin e trazuar.

Hui është pjesë e një kolektivi deputetësh të cilët po lobojnë për marrjen e masave të rrepta kundër qeverisë së Hong-Kongut nga interesat ndërkombëtare. Hui, i cili u largua nga Hong-Kongu dhe tani jeton në Australi, tha për “The Sydney Morning Herald” të dielën: “Çfarë ka për t'u thënë ajo shokëve të mi të hedhur në burg? Sa e pandjeshme mund të jetë ajo? Shumë njerëz duhet të ikin nga Hong Kongu dhe ndoshta nuk do të jenë në gjendje të kthehen në shtëpi. Por, ajo mund të udhëtojë lirshëm nga Australia në Hong Kong dhe ta vazhdojë punën dhe të bëjë pazar sikur asgjë të mos ketë ndodhur”.

Hui ka shtuar: “Është një miratim i situatës në Hong-Kong që thotë se është në rregull, njerëzit mund të jetojnë. Nuk është. Njerëzit po vuajnë dhe janë të dëshpëruar”.

Asamblistja e Hong-Kongut, Priscilla Leung, tha për gazetën: 'Rasti i përjashtimit të Nicole Kidman nuk ka të bëjë vetëm me politikën, ai përfshin çështjen e sigurisë shëndetësore dhe është një çështje padrejtësie'.

Aktorja 54-vjeçare fluturoi nga Sidnei në Hong-Kong me avion privat më 12 gusht përpara xhirimit të serialit të saj të ri “Expats” dhe po qëndron në një rezidencë të marrë me qira në qarkun Peak të qytetit. Sidoqoftë, ajo ndezi polemika dy ditë më vonë pasi u shfaqën foto të Kidmanit duke bërë pazar në një butik në qytet me truprojën e saj. Hong Kongu ka vendosur që udhëtarët ndërkombëtarë duhet të izolohen për të paktën shtatë ditë pas mbërritjes. Sidoqoftë, qeveria e Hong-Kongut ka konfirmuar se Kidmanin e ka liruar nga këto rregulla të ashpra të karantinimit.