Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Këtë javë, pa marrëveshje për imigrantët

Kancelarja gjermane ka deklaruar se pavarësisht samitit të BE-së, gjatë kësaj jave, nuk do të ketë marrëveshje për imigrantët

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka thënë se zgjidhja gjithëpërfshirëse evropiane për imigrantët nuk do të arrihet gjatë samitit të liderëve të bllokut gjatë kësaj jave. Merkeli megjithatë insistoi se do të vazhdojë të kërkojë marrëveshje bilaterale, raporton KTV.

“Nuk do të ketë zgjidhje për gjithë pakon e azilit deri këtë të premte,” tha Merkeli në një konferencë për gazetarë, pas takimit që kishte me kryeministrin e ri spanjoll, Pedro Sanchez. E sipas këtij të fundit, mënyra e vetme për t’u përgjigjur ndaj imigrimit do të ishte qasje më e ashpër evropiane, meqë secili shtet duhet të marrë përgjegjësi. Sanchezi madje ka premtuar se do të bashkëpunojë afër me Gjermaninë për të gjetur zgjidhje të përbashkët për krizën.