E kaluara e errët e Argjentinës nën diktaturë po shpaloset nëpërmjet fëmijëve që u ishin marrë prindërve kundërshtues të regjimit dhe u ishin dhënë përkrahësve të ushtrisë
Si fëmijë që rritej në qytetin e La Platasin e të ’80-ve, Leonardo Fossati do të shikonte në pasqyrë dhe të mendonte se realiteti ndodhet në anën e kundërt. Ishte kjo një lojë që djaloshi e luante. Ndihej sikur po jetonte në një film dhe se aty kishte diçka lidhur me jetën e tij që nuk mund ta shihte.
Vite më vonë, lojën do ta kuptonte si diçka më shumë: si një manifestim, mes tjerash, se kishte diçka më shumë në këtë rrëfim.
Ç’është e vërteta, rrëfimi i tij ishte krejt ndryshe. Njerëzit, të cilët e kanë rritur, nuk ishin prindërit e tij biologjikë dhe një test i ADN-së i kryer më 2005 kishte përcaktuar se ai ishte njëri prej nipërve të vjedhur të Argjentinës: foshnjat që ishin lindur në robëri gjatë diktaturës ushtarake që terrorizoi vendin nga viti 1976 deri më 1983 dhe që u ishin dhënë familjeve të tjera për t’i rritur.
“Na ndihmoni”

Prindërit e tij, Ines Beatriz Ortega dhe Ruben Leonardo Fossati, sipas shkrimit të agjencisë së lajmeve Al-Jazeera, janë në mesin e rreth 30 mijë njerëzve që u zhdukën nga forcat e sigurisë gjatë asaj periudhe dhe mbetjet mortore të të cilëve kurrë nuk janë zbuluar.
Edhe
Gjeti eshtrat e njërit djalë, vazhdon ta kërkojë tjetrin - lufta e meksikaneve për t’i gjetur fëmijët
“Pa marrë parasysh se sa vështirë është, e vërteta gjithmonë e krijon një themel të fortë, prej të cilit duhet të vazhdoni me jetën tuaj”, ka thënë ai, duke folur për agjencinë.
Fakti se Fossati dhe të tjerët sikurse ai tani e dinë të vërtetën është falë Abuelas de Plaza de Mayo (Gjyshet e Plaza de Mayos), një organizatë kjo e grave që kanë sfiduar heshtjen rreth Argjentinës gjatë diktaturës dhe kanë mbajtur marshime të përjavshme, duke kërkuar që të dinë se çfarë ka ndodhur me fëmijët dhe nipërit e tyre të zhdukur.
Deri më tani, identitetet e 130 personave janë rizbuluar falë testeve të ADN-së. Por kërkimet vazhdojnë për edhe 300 të tjerë dhe një fushatë e re është duke i përdorur vaksinimet ndaj COVID-19 për këtë qëllim.
Teksa 40-vjeçarët – grupmosha që korrespondon me gjyshërit – tani po vaksinohen në Argjentinë, Abuelas kërkojnë që njerëzit t’i postojnë fotografitë e tyre të vaksinimit në mediat sociale me hastagun #UnaDosisDeIdentidad (Një dozë identiteti). Postimet shoqërohen me tekstet që nxisin çdokënd të lindur midis vitit 1975 dhe 1980, dhe të cilët kanë dyshime rreth identitetit të tyre, që të lajmërohen tek organizata që vazhdimisht po gjen mënyra të reja për ta jetësuar kërkimin.
“E pamë si një mundësi për shkak se në një periudhë të shkurtër kohore, nipërit që i kemi kërkuar do t’i kushtojnë vëmendje për faktin se po vaksinohen”, ka thënë Bele Altamiranda Taranto, fëmija i 88-të i identifikuar, që tani punon me Abuelas de Plaza de Mayo në qytetin e Cordobas.
Sivjet, Qeveria ka lansuar gjithashtu një fushatë për shënjestrimin e argjentinasve që jetojnë jashtë, nën parullën “Argentina Te Busca” – Argjentina po ju kërkon. Disa persona, sipas raportimit të Al-Jazeeras, kanë mësuar identitetet e tyre pasi janë zhvendosur si të rritur në Holandë, Shtete të Bashkuara të Amerikës dhe Spanjë.
Të tjerët janë gjetur në moshë të re në Kili dhe Uruguai.
“Na ndihmoni që t’ju gjejmë”, ka thënë Felipe Sola, ministër i Punëve të Jashtme, në një videomesazh drejtuar personave për të kontaktuar konsullatën e Argjentinës.
Krimet e diktaturës

Fakti se kaq shumë fëmijë kanë mbetur të pagjetur flet më së miri për ndikimin e heshtjes që vazhdon edhe më tutje midis atyre që kanë kryer krime.
Nën pretendimin e çrrënjosjes së rebelëve majtistë, forcat e sigurisë kanë ndërmarrë një fushatë të gjerë të terrorizmit shtetëror për eliminimin e disidencës politike, studentëve, aktivistëve të unionit, gazetarëve dhe shumë të tjerëve.
“Njerëzit janë rrëmbyer nga rrugët, janë torturuar, vrarë, janë hedhur nga aeroplanët në lumin nën apo janë varrosur në varrezat e pashënuara gjatë periudhës së diktaturës. Gratë e reja që ishin shtatzënë në kohën e zhdukjes së tyre kanë lindur nëpër qendrat klandestine të burgimit dhe foshnjat e tyre më pas janë vendosur në shtëpitë e familjeve që e mbështesnin ushtrinë apo me të tjerët që nuk pyesnin rreth origjinës së fëmijëve”, ka shkruar agjencia “Al-Jazeera”.
Këto nuk ishin incidente të izoluara, por një plan sistematik i përvetësimit të fëmijëve që përkon me krim kundër njerëzimit, ka vendosur një gjykatë argjentinase më 2012. Më shumë se 1.000 persona janë dënuar rreth roleve të tyre në këtë periudhë të errët të historisë.
Asgjësimi i gjeneratave

Iniciativat si Una Dosis ofrojnë një hije shprese për njerëzit si Anna Carriquiriborde (41), halla e së cilës Gabriela Carriquiriborde është zhdukur më 1976 në La Plata. Familja e saj është në kërkim të një foshnje, të lindur në robëri gjatë dhjetorit të atij viti.
Edhe EgoistëtDëshmitarët pretendojnë se foshnja është djalë, thotë Carriquiriborde, ndonëse një grua që beson se është e bija e Gabrielas aktualisht është në pritje të rezultateve të testit të ADN-së. Dy të tjerë po ashtu dyshojnë se janë fëmijët e Gabrielas, porse testet kanë rezultuar negativ.
“S’do mend, mezi pres që ta takoj kushëririn tim”, ka thënë Carriquiriborde, e cila jeton në La Plata, porse ishte lindur dhe rritur në Suedi, vend ky që u ofroi azil politik prindërve të saj që kishin ikur nga diktatura. “Flasim për këtë gjë tërë kohës në familje. Do të lumturoheshim të gjithë sikur krejt kjo çështje të gjente përmbyllje”, ka shtuar ajo për Al-Jazeeran.
Zbulimi do të ishte jashtëzakonisht i rëndësishëm për babanë e saj, thotë ajo. Sikurse motra e tij e zhdukur, ai ishte anëtar i Juventud Universitaria Peronist, një krah universitar i partisë politike Peroniste, dhe ndihet fajtor për atë që i kishte ndodhur asaj.
“Mendoj se e tëra është shumë e ulët, t’i mbash ata robër për t’ua zhvendosur fëmijët”, ka thënë Carriquiriborde, duke folur për Al-Jazeeran. “Ata na e rrëmbyen të tanishmen dhe po ashtu të ardhmen tonë. Diktatura ushtarake ka asgjësuar shumë gjenerata”.
Janë dashur vite të tëra që të tërhiqej vetëdija kolektive për atë çfarë kishte ndodhur. Dhe në rast se ekziston një gjë që funksionon kundër kërkimeve, atëherë ajo është koha.
“Kanë mbetur fare pak gjyshe”, thotë Taranto. “Janë shumë të moçme dhe është pikëllim shumë i madh, si dhe pafuqi shumë e madhe që t’i shohësh të na braktisin, pa qenë në gjendje që t’i gjejnë nipërit e tyre apo kufomat e fëmijëve të tyre”.
“Ndjenjë lirie”
Taranto dhe Fossati, që të dy 44 vjeç, përshkruan se janë ndier disi të fuqizuar kur kanë qenë në gjendje që të kuptojnë se kush në të vërtetë janë. Taranto i takoi që të dy palë gjyshërit e tij para se ata të vdisnin.
“Nuk është klishe, por e ndieni njëlloj ndjenje të lirisë – jam i lirë të bëjë çfarëdo që të dua me rrëfimin tim”, thotë Taranto, prindërit e zhdukur të të cilit, Cristian Adrian dhe Natalia Vanesa, ishin anëtarë të Partisë Revolucionare të Punëtorëve.
Në rastin e Fossatit, nëna e tij ishte pjesë e Union Estudiantil Secundaria (Unioni i Nxënësve të Shkollës së Mesme), ndërsa babai anëtar i Juventud Universitaria Peronista. Çifti që e kishte rritur atë nuk ka pasur lidhje me ushtrinë, ka shkruar Al-Jazeera.
Një ditë, më 1977 ata pranuan thirrje prej një mamie lokale që kishte një foshnjë, për të cilën thoshte se kishte nevojë për një shtëpi. Fossati e kuptoi vetë se nuk ishte fëmija i tyre biologjik dhe ka kërkuar përgjigje kur u bë vetë baba.
“Ajo që më ndodhi nuk ishte adoptim, por përvetësim”, ka thënë ai për agjencinë.
Tani ai e drejton një hapësirë kujtimi në La Plata, pranë qendrës së dikurshme klandestine të burgimi ku prindërit e tij po mbaheshin. Aty dhe ishte lindur.
“Mësova se jo vetëm që e trashëgoni ngjyrën e lëkurës, të syve dhe qëndrimin nga gjenet”, ka thënë Fossati, i cili rishtazi ia la të birit të tij emrin Leonardo, emër ky të cilin e mori vite më parë kur zbuloi se nëna ia kishte lënë atë. “Gjërat e tjera nuk kalohen gjatë shtatzënësisë”.
Edhe
Rinia e Marionës – u vu në komë, sepse ishte “shpirt i lirë”
Dyshimet, ka shtuar ai për Al-Jazeeran, trashëgohen gjithashtu – andaj ai i nxiti që të gjithë që mund të kërkojnë për përgjigje.
“Koha kalon shumë shpejt, është me rëndësi që të kapërceni frikën”, ka thënë ai për agjencinë. “Dhe është e drejtë e juaja që ta dini identitetin”. \ Al-Jazeera