Presidenti rajonal i Katalonjës ka thirrur zgjedhje të parakohshme për 12 maj, pasi qeveria e tij e pakicës dështoi të miratojë një buxhet për rajonin e pasur verilindor të Spanjës që përfshin Barcelonën.
Lëvizja e Pere Aragonès të mërkurën erdhi në prag të një votimi në parlamentin kombëtar të Spanjës mbi një ligj të diskutueshëm për amnisti, që mund të falë qindra liderë dhe mbështetës të lëvizjes separatiste, edhe ata të përfshirë në përpjekjen e pasuksesshme të Katalonjës për të shpallur pavarësinë nga Spanja në vitin 2017, raportoi AP.
Disa liderë separatistë u burgosën në atë kohë dhe të tjerë si ish-presidenti rajonal, Carles Puigdemont, u larguan nga vendi.
Propozimi për amnisti ka ngjallur zemërimin e miliona spanjollëve. Ata që e kundërshtojnë projektligjin besojnë se njerëzit e përfshirë në provokimin e një prej krizave më të mëdha të vendit që nga tranzicioni në demokraci pas vdekjes së gjeneralit Francisco Franco në 1975, nuk duhet të largohen me akuza që përfshijnë kryengritje dhe rebelim.
Por qeveria e kryeministrit spanjoll Pedro Sánchez në Madrid, mbështetet te partitë separatiste katalanase për të miratuar ligjet në parlamentin e Spanjës. Qeveria qendrore po përpiqet gjithashtu të fitojë mbështetjen e këtyre partive për të miratuar një buxhet kombëtar.
Edhe
Gjykata e Lartë e Spanjës vë në pikëpyetje kushtetutshmërinë e ligjit për amnisti për katalonjasit
Partia Socialiste e Sanchezit dhe aleatët e tij pritet të japin mbështetjen e tyre fillestare për ligjin e amnistisë në një votim parlamentar të enjten, ndërsa Partia Popullore konservatore dhe politikanët e djathtë do ta kundërshtojnë atë.
Zgjedhjet rajonale të Katalonjës duhej të mbaheshin para fundit të vitit. Katalonja është qeverisur nga parti separatiste për më shumë se një dekadë.
-
Gjykata e lartë e Spanjës mban në fuqi urdhrat e arrestit për separatistët katalonjas pavarësisht amnistisë
-
Parlamenti i Spanjës miraton përfundimisht ligjin e amnistisë për separatistët katalonjas
-
Parlamenti spanjoll miraton projektligjin që synon amnistimin e separatistëve katalonjas
-
Separatisti katalonjas kthehet në Spanjë pas shtatë vjetësh, pavarësisht se mund të arrestohet