Botë

Karantina në hotele në Mbretërinë e Bashkuar hyn në fuqi

Banorët e Mbretërisë së Bashkuar të cilët arrijnë në Angli pasi kanë qenë në një shtet me rrezik të lartë me COVID-19, tash duhet të karantinohen në hotele.

“Lista e kuqe” me 33 shtete përfshinë Portugalinë, Brazilin dhe Afrikën Jugore.

Rregullat e reja me të cilat tentohet të ndalet përhapja e varianteve të reja të koronavirusit nga vendet tjera, vlejnë për njerëzit që arrijnë nga një nga këto shtete në 10 ditët e fundit.

Ata duhet ta rezervojnë dhe të paguajnë 1,750 funte për të kaluar 10 ditë në karantinë në hotelet që ka vendosur qeveria, raporton BBC.

Kjo shumë mbulon shpenzimet e hotelit, transportit dhe testimit.

Qeveria ka thënë se ka arritur marrëveshje me 16 hotele deri tash, duke ofruar 4,963 dhoma për sistemin e ri të karantinës dhe 58,000 dhoma të reja që pritet të vihen në dispozicion.