Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Britanikët në hall për kthim, nuk kanë ku të izolohen

Udhëtarët që po shpresonin për kthim nga Afrika në Britani janë bllokuar për shkak të mungesës së hoteleve që përdoren për karantinim, pasi Qeveria britanike e bëri të detyrueshëm izolimin pas kthimit. Shumë britanikë që udhëtuan për pushime, e kanë të pamundur të kthehen në shtëpi dhe mund të përballen me izolim për Kërshëndella shkaku i ashpërsimit të papritur të masave për udhëtarët që kthehen nga Afrika.

Ashpërsimi i masave të udhëtimit është bërë pas shpërthimit të variantit të ri të koronavirusit. Ashpërsimi i shpejtë i masave ka shtyrë që dhjetëra hotele të jenë të zënë nga udhëtarët e kthyer. Shumë prej britanikëve që po presin për një dhomë në hotelet e izolimit, kanë humbur mijëra funte, ndërkaq kanë kritikuar sistemin e dobët për rezervimin e hotelit.

Pas shfaqjes së variantit Omicron të koronavirusit, shtetet e Afrikës jugore janë vendosur në listën e kuqe të shteteve perëndimore. Për këtë arsye, Britania ka marrë vendim se të kthyerit duhet të izolohen për 14 ditë në hotelet e shndërruara si qendra të karantinës.