Një mafioz italian i dënuar për vrasje, i cili ishte në arrati që nga viti 2006, është kapur në Francë, pasi ishte fshehur si kuzhinier picash për të paktën tre vjet.
Kapja e Edgardo Greco në Saint-Étienne është arrestimi i dytë i profilit të lartë mafioz nga autoritetet italiane brenda pak javësh.
Rasti tjetër ishte ai i Matteo Messina Denaro i cili ishte në arrati për 30 vjet, kur u ndalua gjatë një vizite në një klinikë në Siçili, raportoi BBC-ja të enjten.
Të dy personat ishin në kërkim për kryerjen e vrasjeve të tmerrshme në vitet 1990.
Ndërsa Messina Denaro ishte "bosi i bosëve" për “Cosa Nostran” famëkeqe të Siçilisë, Greco ishte pjesë e turmës së krimit të organizuar “Ndrangheta” që e kishte origjinën nga rajoni i Kalabrisë në jug të Italisë.
“Ndrangheta” tani është mafia më e fuqishme në Itali, dhe tentakulat e saj shtrihen në të gjithë Evropën dhe Amerikën e Jugut.
Greco, 63 vjeç, ishte në kërkim për vrasjen e dy vëllezërve gjatë një “lufte mafioze” mes dy bandave në fillim të viteve 1990.
Stefano dhe Giuseppe Bartolomeo u rrahën për vdekje në dyqanin e një shitësi peshku në qytetin e vogël të Kozencës në janar të vitit 1991. Trupat e tyre nuk u gjetën kurrë dhe besohet se janë tretur në acid.
Greco ishte pjesë e një bande rivale dhe ai u akuzua gjithashtu për tentativën e vrasjes së një burri tjetër më vonë atë vit, në të njëjtin qytet.
Kur një gjykatës lëshoi një urdhër arresti për të në vitin 2006, Greco ishte në arrati.
Tetë vjet më vonë, ai u vendos në qytetin francez të Saint-Étienne, në jug-perëndim të Lionit, duke fituar punë si picamen në një restorant italian. Ai po ndiqej ende nga prokurori më kryesor antimafia i Italisë, Nicola Gratteri, i cili ka shpenzuar dekada duke luftuar ngritjen e “Ndranghetas”.
Në një deklaratë, policia ushtarake e Karabinierëve të Italisë tha se që nga viti 2019, hetuesit kishin gjurmuar rrjetin mbështetës të Grecos, i cili përfundimisht i çoi ata përtej Alpeve, në Saint-Étienne.
Interpoli tha se operacioni i tij anti-Ndrangheta u përfshi gjithashtu, me autoritetet franceze që kryenin vëzhgimin e vendndodhjes së Grecos. Policia italiane më pas konfirmoi identitetin e tij dhe u fut për ta arrestuar.
Ministri i Brendshëm italian, Matteo Piantedosi vlerësoi policinë për nxjerrjen para drejtësisë së një prej kriminelëve më të këqij të Italisë.