Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Kancelari austriak akuzon Erdoganin për keqpërdorimin e qëllimshëm të refugjatëve

Foto: Reuters

Kancelari austriak, Sebastian Kurtz, ka dënuar të martën vendimin e presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, për hapjen e kufijve, duke e akuzuar atë se po i keqpërdor qëllimshëm refugjatët për t’i ushtruar presion Bashkimit Evropian.

Ai ka thënë se Erdogani e organizoi me plot vetëdije vërshimin e refugjatëve në kufijtë e Greqisë. Ndërkohë, përplasja rreth refugjatëve ka thelluar të martën luftën verbale midis Ankarasë dhe Athinës. Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Çavushoglu, ka akuzuar Greqinë për vrasjen e tre emigrantëve që synonin hyrjen në këtë vend, ani pse për këtë nuk ofroi ndonjë dëshmi. E këtë pretendim shteti grek e hodhi poshtë menjëherë.

Vendimi i Turqisë për hapje të kufijve e vuri atë përballë BE-së, me të cilën kishte një ujdi për frenimin e refugjatëve. Ankaraja për më tepër akuzoi Brukselin se nuk ka përmbushur premtimin për ndarjen e fondeve të parapara për strehimin e refugjatëve sirianë në Turqi.

"BE-ja nuk ka paguar as gjysmën e 6 miliardë eurove të premtuara Ankarasë për sirianët. Nuk ka përmbushur pranimin vullnetar humanitar dhe nuk ka mbështetur planin e zonës së sigurt të Turqisë", ka shkruar Çavushoglu në Twitter. Në anën tjetër, Greqia është akuzuar për përdorimin të tepruar të forcës mbi refugjatët e që vërshuan kufijtë e vendit.