Në një rrugë tejet të pastër ku gërshetohen dyqanet luksoze të “Cartierit”, “Guccit” e “Louis Vuittonit”, pasanikët rusë shëtisin me qese. Larg nga qytetet e shkatërruara të Ukrainës, zona pranë liqenit të Luganos në Zvicër spekulohet se është vendi ku e dashura sekrete e presidentit rus, Vladimir Putin, është fshehur që kur ka nisur pushtimi i Ukrainës.
Gjimnastja fituese e së artës olimpike, Alina Kabaeva – dikur e përshkruar edhe si “gruaja më fleksibile ruse” – raportohet se ka udhëtuar drejt shtëpisë “shumë private e shumë të sigurt” bashkë me fëmijët e çiftit, me të nisur pushtimi.
Në publik thuhet se ajo është e ëma e dy djemve dhe e një vajze të Putinit. Kabaeva 38-vjeçare jeton rehat në një “flluskë luksoze”, e mbrojtur nga krimet që partneri 69-vjeçar i ka nisur ndaj fëmijëve të pafajshëm në Ukrainë.
Zvicra ka histori të gjatë të sigurimit për më të fuqishmit e botës. Familja e presidentit rus në Zvicër nuk ekspozohet fare në publik.

Një burim në Lugano, afër kufirit me Italinë, ka thënë për “The Mirror” se para pandemisë ka pasur më shpesh fjalë se e dashura e Putinit jeton aty. “Ajo që dihet është se kanë lidhje të fuqishme, por të gjithë ata që i njohin janë të betuar për ta ruajtur sekretin”, ka thënë burimi.
“Përderisa Rusia po shkatërrohet nga sanksionet, ky është vendi i përsosur për Putinin që ta dërgojë Alinan dhe fëmijët e tyre”.
Raportimet për lidhjen e Putinit me Luganon patën nisur shtatë vjet më parë.
Në shkurt të 2015-s, një televizion lokal kishte raportuar se Kabaeva kishte kryer lindjen në një klinikë luksoze private në Sorengo, në periferi të qytetit. Ata thuhej se kishin rezervuar dy dhoma private. Njëra ishte për lindje e tjetra për familjen e plotë dhe truprojat. Sipas burimeve, Putini ishte i pranishëm.
Kremlini sigurisht i ka mohuar gjithmonë pretendimet dhe ka mbetur i mbyllur për jetën private të Putinit.
Kabaeva, një nga gjimnastet më të dekoruara, nuk e ka konfirmuar kurrë nëse kanë një vajzë apo dy. S’ka pranuar kurrë të flasë as nëse janë martuar në ceremoni sekrete pasi Putini u shkurorëzua nga bashkëshortja e parë.

Me shkëlqim nën rrezet e diellit pranveror këtë javë, dallimi mes spitalit ku i kreu lindjen Kabaeva dhe spitalit të njëjtë në Mariupol të Ukrainës s’do koment.
Klientët me pasuri të majme e vetura luksoze parkojnë veturat para hyrjes si në filma. Ndërkaq në anën tjetër të Evropës, Mariupoli, pas bombardimeve të dhomave me gra shtatzëna, po përjeton ferrin.
Në lagjen ku Kabaeva thuhet se jeton shihen shumë supermodele, ndërsa zona dominohet nga bankat, farmacitë e dyqane dizajni dhe restorante me meny “të paprekshme”.
Alina Kabaeva s’është personi i vetëm i afërt i Putinit që lidhet me Luganon.
Oligarku Alexey Mordashov, personi i dytë më i pasur rus, me pasuri multimilardëshe besohet se jeton afër Luganos, në një zonë të shtrenjtë në Manno.
Për Kabaevan dhe fëmijët që s’janë parë, mund të mbetet streha ideale përderisa Rusia vazhdon sulmet.
