Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Jep dorëheqje ministrja e Punës në Austri, u akuzua për plagjiaturë

Ministrja e Punës së Austrisë, Christine Aschbacher, ka dhënë dorëheqje nga detyra pas akuzave për plagjiaturë.

Aschbacheri ka mohuar akuzat derisa ka thënë se po largohet për të mbrojtur familjen e saj. Ajo dyshohet se kopjoi një të pestën e disertacionit të saj të doktoratës nga burime të tjera si dhe pjesë të tezës së diplomës. Këtë po e pretendon akademiku Stefan Weber i cili është i specializuar në zbulimin e plagjiaturave.

Aschbacheri lidhur me rastin ka thënë se e kishte shkruar punimin dhe tezën e saj “duke u bazuar në njohuritë e saja”.

“Armiqësia, agjitacioni politik dhe fyerjet, fatkeqësisht po hidhen jo vetëm mbi mua por edhe mbi fëmijët. Kjo po bëhet me një forcë të padurueshme”, ka deklaruar ajo, raporton Reuters.

“S’mund të lejoj që kjo të vazhdojë, duhet mbrojtur familjen time. Për këtë arsye, unë jam duke dhënë dorëheqje nga zyra”.

Kancelari Sebastian Kurz ka falënderuar atë për punën dhe ka si ministër të ri në këtë pozitë e ka emëruar Martin Kocherin.