Botë

Je magnet për mushkonja? Mund të jetë era juaj

Për të vënë në sprovë magnetizmin e mushkonjave, kërkuesit kanë projektuar një eksperiment që vendos aromat e njerëzve kundër njëra-tjetrës, ka shpjeguar autorja e studimit, Maria Elena de Obaldia. Gjetjet e tyre u publikuan të martën në revistën “Cell”

Sipas një studimi të ri, disa njerëz me të vërtetë janë “magnet për mushkonja”, e kjo me shumë gjasë ka të bëjë me erën e tyre.

Studiuesit kanë zbuluar se njerëzit që janë më tërheqës për mushkonjat prodhojnë shumë kimikate të caktuara në lëkurën e tyre, që lidhen me erën. E një lajm i keq për magnetet e mushkonjave është se: gjakpirësit u qëndrojnë besnikë të preferuarve të tyre me kalimin e kohës.

“Nëse keni vlera të larta të kësaj lënde në lëkurën tuaj , do të jeni ju personi në piknik që do t’i marrë të gjitha pickimet”, ka treguar autorja e studimit, Leslie Vosshall, neurobiologe në Universitetin Rockefeller në New York.

“Ka shumë të thëna për atë se kush thumbohet më shumë, mirëpo shumë pretendime nuk mbështeten me prova të forta, ka theksuar Vosshall.

Për të vënë në provë magnetizmin e mushkonjave, kërkuesit kanë projektuar një eksperiment që vendos aromat e njerëzve kundër njëri-tjetrit, ka shpjeguar autorja e studimit, Maria Elena de Obaldia. Gjetjet e tyre u publikuan të martën në revistën Cell.

Ata kërkuan 64 vullnetarë nga universiteti dhe aty pranë që të mbanin çorape najloni rreth parakrahëve të tyre për të marrë erën e lëkurës së tyre. Çorapet u vendosën në kurthe të veçanta në fund të një tubi të gjatë, më pas u lëshuan dhjetëra mushkonja.

“Ato në thelb do të grumbulloheshin te subjektet më tërheqëse”, ka sqaruar De Obaldia. “U bë shumë e qartë menjëherë”.

Në mbledhjen e mbajtur nga shkencëtarët u arrit përfundimi se magneti më i madh i mushkonjës ishte rreth 100 herë më tërheqës sesa të tjerët.

Eksperimenti përdori mushkonjën Aedes aegypti që përhap sëmundje të tilla si ethet e verdha, Zika dhe dengoja. Vosshall ka thënë se ajo do të priste rezultate të ngjashme nga llojet e tjera, por do të kishte nevojë për më shumë kërkime për ta konfirmuar.

Duke testuar të njëjtët njerëz gjatë shumë viteve, studimi ka treguar se këto dallime të mëdha qëndrojnë përreth, ka theksuar Matt DeGennaro, neurogjenetik në Universitetin Ndërkombëtar të Floridës, i cili nuk ishte i përfshirë në hulumtim.

“Magnetet e mushkonjave duket se mbeten magnet mushkonjash”, ka shtuar DeGennaro.

Duke i përjashtuar të preferuarit, hulumtuesit kanë gjetur edhe një faktor të përbashkët: magnetet e mushkonjave kanë sasi të larta të një lloji të acidit në lëkurë. Këto “molekula të yndyrshme” kanë pjesë të shtresave natyrale hidratuese, dhe njerëzit i prodhojnë ato në sasi të ndryshme, ka treguar Vosshall. Bakteria e shëndetshme që jeton në lëkurë ushqehet me këto acide dhe prodhojnë një pjesë të profilit të erës së lëkurës sonë, tha ajo.

Nuk mund t’i shmangësh këto acide pa e dëmtuar edhe shëndetin e lëkurës, po ashtu, ka bërë të ditur Vosshall, i cili është pjesë e Institutit Mjekësor Howard Hughes si shef shkencor. Instituti, po ashtu, mbështet edhe departamentin e shëndetit dhe shkencës së Associated Press.

Mirëpo hulumtimi mund të ndihmojë në gjetjen e metodave të reja për t’i larguar mushkonjat, ka thënë Jeff Riffell, neurobiolog në Universitetin e Uashingtonit, i cili nuk ishte i përfshirë në studim. Mund të ketë mënyra për të ndërhyrë me bakteret e lëkurës dhe për të ndryshuar aromat tërheqëse të njerëzve, ka shpjeguar ai.

Megjithatë, gjetja e mënyrave për të luftuar mushkonjat nuk është e lehtë, tha Riffell, pasi krijesat kanë evoluar për të qenë “makina të heshtura pickuese”

Studimi vërtetoi këtë pikë: Studiuesit gjithashtu bënë eksperimentin me mushkonja, gjenet e të cilave u redaktuan për të dëmtuar shqisën e tyre të nuhatjes. Insektet ende u dyndën te të njëjtat magnet mushkonjash.

Mushkonjat janë elastike, tha Vosshall. “Ato kanë shumë plane rezervë që të mund të na gjejnë dhe të na pickojnë”.

Përktheu: Blerta Haxhiu