Policia në kryeqytetin e Japonisë po u bën thirrje njerëzve që të zvogëlojnë konsumin e tyre të alkoolit këtë sezon festash, pas një rritjeje të vdekjeve të përdoruesve të alkoolit të cilët po goditen nga veturat pasi po i zë gjumi në rrugë.
Që nga 25 nëntori, 10 persona ishin vrarë në aksidente të tilla këtë vit, tha Policia e Tokios në një postim të fundit në Twitter, duke përfaqësuar 22 për qind të të gjitha vdekjeve të këmbësorëve në kryeqytet. “Kjo është dyfishi i asaj që ishte vitin e kaluar. Këmbësorë, pini me marrë”, thuhet në postim.
Policia është e shqetësuar se numri i të vdekurve mund të rritet më tej pasi njerëzit marrin pjesë në festimet e fundvitit, veçanërisht pasi jeta e natës rikthehet pas lehtësimit të kufizimeve të COVID-19, shkruan CNN-i.
Departamenti ka lëshuar një video-njoftim për shërbimin publik duke paralajmëruar njerëzit për rreziqet e pirjes së tepërt dhe përkujtues për sigurinë rrugore. Do të shfaqet brenda 60.000 taksive me monitorë në Tokio në prag të Vitit të Ri.
Japonia hoqi gjendjen e saj të jashtëzakonshme kundër koronavirusit në tetor të vitit 2021, duke lejuar restorantet të shesin sërish alkool dhe të qëndrojnë të hapura më vonë, por kufizimet në disa pjesë të vendit mbetën në fuqi deri në mars të këtij viti.
Udhëtimet ndërkombëtare në Japoni rifilluan në tetor të këtij viti dhe autoritetet e turizmit shpresojnë për një valë vizitorësh gjatë festave të fundvitit.
Japonezët pinë rreth 8 litra alkool të pastër në vit për frymë – kjo është afërsisht e barabartë me 1.6 shishe verë ose rreth 3 litra birrë në javë për person.
Edhe
Japonia nis fushatë që t’i shtyjë qytetarët të pinë alkool
Konsumi i alkoolit në Japoni u zbeh gjatë pandemisë, me kufizime që godasin biznesin e bareve dhe vendeve të tjera që shesin pije.
Rënia e shitjeve ka zvarritur gjithashtu të ardhurat nga taksat e pijeve alkoolike, duke nxitur një fushatë të diskutueshme nga qeveria japoneze këtë vit që synon të inkurajojë të rinjtë të pinë më shumë alkool.
Por Ministria e Shëndetësisë e Japonisë ka paralajmëruar në të kaluarën për rreziqet e pirjes së tepërt. Në një postim në faqen e saj të internetit vitin e kaluar, ajo e quajti konsumin e tepërt të alkoolit një “problem të madh social” që vazhdoi pavarësisht ngadalësimit të fundit të konsumit. Dhe u bëri thirrje njerëzve me zakone jo të shëndetshme të pirjes që të "rishqyrtojnë" marrëdhënien e tyre me alkoolin.