Japonia është bërë shteti i pestë në botë që ka ulur një anije kozmike në Hënë, shkruan BBC të premten.
Anija kozmike Slim ka zbritur në Hënë dhe ka komunikuar me dhomën e kontrollit në Tokë, ka konfirmuar presidenti i agjencisë hapësinore japoneze “Jaxa”, Hiroshi Yamakawa.
Megjithatë, duket se gjeneratorët diellorë nuk janë duke punuar në këtë kohë, që do të thotë se anija mbështetet tërësisht në baterinë e saj.
Presidenti i “Jaxa” ka vlerësuar se ulja ishte sukses dhe anija po komunikon, kështu që “niveli minimal i suksesit” i misionit është arritur.
Nëse kjo situatë nuk mund të rregullohet, kur bateria të harxhohet, misioni do të ngelë në heshtje.
Sipas "Jaxa", është ulja më e saktë në histori pasi anija kozmike ka qenë brenda objektivit prej 100 metrave.
Edhe
Kina thotë se anija e saj kozmike u ul me sukses në anën e largët të Hënës
SHBA-ja, Kina, ish-Bashkimi Sovjetik dhe India janë shtetet që kanë arritur ta dërgojnë një anije kozmike në Hënë.
Japonia ka pasur projektin Slim në zhvillim për më shumë se dy dekada dhe është përpjekja e dytë e agjencisë hapësinore japoneze për ulje në Hënë, pasi humbi kontaktin me zbarkuesin OMOTENASHI më 2022.
Agjencia ka zbritur me sukses dy herë në asteroidë të vegjël, por ulja në Hënë është më e vështirë për shkak të gravitetit të saj.