Sadyr Japarov, shpesh i përshkruar si populist, ka fituar bindshëm zgjedhjet me 79 për qind të votave. Por, para pak muajsh ai po vuante prapa grilave
Bishkek, Kirgizi, 12 janar – Ishte pothuajse njëmbëdhjetë e natës kur Sadyr Japarov nisi fjalimin e fitores, tri orë pasi ishin mbyllur qendrat e votimit, të dielën mbrëma.
Shumica e votave në zgjedhjet presidenciale të Kirgizisë, që do ta çojnë vendin drejt një sistemi më të fuqishëm presidencial, tashmë ishin numëruar, thuhet në televizionin nga Katari, “Al-Jazeera”.
Dhe ky ishte një moment triumfi për Japarovin dhe vizionin e tij.
79 për qind të votuesve kishin ndarë mendjen t’ia besonin presidencën, derisa 81 për qind ishin për një formë të qeverisjes presidenciale në ish-republikën sovjetike në Azi.
Japarovi, një nacionalist i cili para disa muajsh ishte në qeli burgu, po i kënaqet suksesit pa shprehje të ndonjë shqetësimi të madh për peshën e rëndë të qeverisjes.
Edhe
Kryeministri i Kirgizisë jep dorëheqje, protestuesit marrin kontrollin e vendit
Në pikun e krizës
Në profilin për Japarovin, gazetari i televizionit nga Lindja e Mesme e përshkruan zërin e Japarovit si të qetë dhe të butë në natën e madhe të tij politike. Dukej i vendosur për ta çuar përpara vizionin e tij politik.
“Votat tuaja më kanë dhënë energji dhe vetëbesim dhe më nxisin të punoj. Do të bëj gjithçka që është në dorën time për të ruajtur besimin tuaj. Po vij në pushtet në një moment të vështirë për vendin”, deklaroi presidenti i ri kirgiz. “Kjo është arsyeja pse po ju kërkoj edhe një herë mbështetjen tuaj në tre-katër vjetët e ardhshëm. Ju të gjithë e dini se zgjidhja e problemeve që janë mbledhur gjatë tridhjetë vjetëve të kaluar do të jetë e vështirë të bëhet për një ose dy vjet. Por jam i bindur se ne do t’ia dalim të përmirësojmë gjendjen ekonomike gjatë dy-tre vjetëve të ardhshëm, dhe do të dalim prej kësaj krize”.
Japarov pastaj premtoi për t’i kthyer punëtorët emigrantë në vendlindje, duke krijuar mundësi për ata që bëjnë punën e shërbëtorëve në vende të huaja për paga të ulëta.
Lideri i ri ka thënë se nuk ka urrejtje e zemërim kundrejt kundërshtarëve dhe ata që kanë provuar ta diskreditojnë atë ose të dalin kundër vullnetit të popullit. Ai ka thënë se tash e tutje të gjithë duhet të bashkohen në luftën për përmbushjen e ëndrrave të të gjithë kirgizëve. Sot, të gjithë duhet të tregohen patriotë, tha bujshëm ai.
Kthesë, apo katastrofë?
Fjalimi i Japarovit përfundoi me një duartrokitje, por nuk është se të gjithë ndanin të njëjtin entuziazëm. Për aktivistët, avokatët dhe elitën intelektuale, fitorja e tij nënkupton një katastrofë – përqendrimi i pushtetit në duart e një individi shpie drejt shkeljes së ligjit dhe autoritarizmit.
“Ai po përdor mjetet standarde të populizmit që janë përdorur edhe prej liderëve popullorë”, ka deklaruar Saniya Toktogazieva, eksperte kirgize e së drejtës kushtetuese në një intervistë për “Al-Jazeeran”. “Ai luan me emocionet e njerëzve dhe nuk heq dorë prej pretendimeve të tij me asnjë fakt. Tani, narrativi kryesor është se si po vepron në emër të qytetarëve të rëndomtë kundër elitës që ka eksploatuar Kirgizinë”.
“Ai po punon për rajonet, po flet gjuhën e rëndomtë kirgize që e kuptojnë të gjithë dhe e di çfarë duhet të thotë për t’i prekur emocionet e njerëzve. Mendoj se ka manifakturuar këtë qasje dhe ka teknologë politikë prapa tij, të cilët e njohin realitetin kirgiz, sidomos në rajone”.
Ngritja e mistershme
Ngritja e Japarovit në pushtet mbetet një mister i madh.
Kur rebelimi i tretë politik prej pavarësimit të vendit nisi më katër tetor pas kontestimit të zgjedhjeve parlamentare, ai ende ishte në burg, duke vuajtur dënimin prej 11 vjetësh burgim për rrëmbimin e një zyrtari vendor.
Në kulmin e shpirtit revolucionar, protestuesit e liruan nga burgu, dhe menjëherë u ngrit në majat e pushtetit.
Gjykata e Lartë e shfajësoi në një proces të kontestuar gjyqësor dhe ai menjëherë u zgjodh kryeministër i përkohshëm. Shumë shpejt, mbështetësit e tij e shtrënguan presidentin Sooronbay Jeenbekov të jepte dorëheqjen dhe Japarov mori rolin e presidentin në detyrë të vendit.
Në Kirgizi vazhdon të ketë mandat legjislatura e vjetër, por Japarovi ka nisur punën për një kushtetutë të re që do t’i jepte pushtet pothuajse të pakufizuar presidentit, proces që sipas ekspertëve të së drejtës nuk është aspak legal.
Por, të dielën kirgizët ndanë mendjen t’ia jepnin besimin.
Edhe
Koalicioni i ish-presidentit Radev projektohet fitues i zgjedhjeve në Bullgari
Ai është njeri i popullit. Zëri i të pazëshmëve: rajonet e varfra dhe qytetarët mesatarë hoqën lavdinë e kryeqytetit rusishtfolës. Tashmë ai po konsiderohet hero i ri kombëtar.
Kundërshtarët e pranojnë se ai e ka fituar vetë reputacionin e tanishëm, megjithëse e kaluara e tij ka kundërthëniet e veta.

Si nisi?
Presidenti i ri e nisi karrierën politike më 2005.
Nga 2008 deri më 2010, nën presidentin Kurmanbek Bakiyev, ai drejtoi Agjencinë Kombëtare për Luftimin e Korrupsionit, periudhë që shumë monitorues e konsiderojnë të shënjuar me korrupsion të madh.
Sot ai heziton të flasë për atë periudhë. Ai preferon të përqendrohet në aktivizimin e tij për të nacionalizuar minierën e arit në Kumtor pas revolucionit të vitit 2010, që e rrëzoi nga froni Bakyevin.
Protestat e tij të vazhdueshme kundër eksploatimit të burimeve të pakta natyrore të Kirgizisë nga korporatat e huaja, prej të cilave përfituan elitat politike të vendit në kurriz të popullit, i sollën përkrahje të madhe në mbarë vendin.
“Më 2013, Japarov u bë figura e vetme e lëvizjes për nacionalizimin e minierës së arit në Kumtor. Protestat që i organizoi ishin shumë më radikale se krejt protestat e mëhershme. Më 2013, në një prej tubimeve në Karakol, përkrahësit e tij e mbyllën në makinë guvernatorin vendor. Autoritetet e konsideruan rrëmbim dhe e akuzuan Japarovin”, ka deklaruar Bektour Iskender, bashkëthemelues i platformës mediatike “Kloop”.
Pas incidentit, Japarovi u largua nga vendi dhe i kaloi tre vjet në Kazakistan, Rusi, Turqi e Qipro. Ai i kushtoi vëmendje të madhe punës për mbështetjen e punëtorëve emigrantë, që kaherë janë injoruar nga elita politika vendore.
“Kjo ishte një pjesë e rëndësishme e ngritjes së popullaritetit të sinqertë, sepse po flasim për një grup të madh njerëzish. Janë rreth një milion kirgizë që punojnë jashtë vendit, shumica prej të cilëve jetojnë në kushte të mjerueshme dhe diskriminohen nga të gjithë, injorohen nga shteti rus dhe janë harruar krejtësisht nga Kirgizia. Dhe papritmas, ka një politikan që kujdeset për ta”, ka theksuar Iskender.
Nga “kriminel”- në martir e viktimë
Popullsia e përgjithshme e Kirgizisë është rreth 6.3 milionë.
Më 2017 Japarov u kthye në vend, duke e ditur se përballej me arrestim. Ai u kap derisa po mundohej ta kalonte kufirin dhe u dërgua në burg. Në sytë e opinionit publik ai u kthye në martir, viktimë e elitave të korruptuara politike.
Gjatë kohës së mbajtjes në burg, shkroi goxha shumë për shtegun dhe vizionin e tij politik për vendin. Librat e tij u shpërndanë me të madhe në mesin e përkrahësve që nisën ta shihnin atë si burrin e fundit që u dilte në ballë.
Më 2017, ende prapa grilave, Japarov u mundua ta priste qafën. Në një video që mund ta shihni në “YouTube”, Japarovi i dobët dhe i hutuar në burg shpjegon se nuk e dinte pse e kishte bërë atë. Ende ishte i tronditur. Pas lirimit nga burgu, Japarov lehtësoi takimet e Parlamentit, që kanë lënë shumë çështje pa zgjidhur. Iskender thotë se krimi i organizuar ka ndikuar në ngritjen e tij në pushtet, megjithëse deri tani nuk është dëshmuar lidhja eventuale.
Jyldyz Bekbaeva, gazetare e njohur, e cila u bë pjesë e ekipit të Japarovit, ka thënë se gjatë fushatës e ka kuptuar se njerëzit “qanin për ndihmën e Japarovit” pasi për tridhjetë vjet me radhë nuk ishte vënë drejtësia në vend.
Edhe
Fronti i dytë për Zelenskyn: Ukraina në fshehtësi nis përgatitjet për zgjedhje
Mbetet të shihet nëse Japarov do të realizojë premtimet, megjithëse do të jetë punë e vështirë.
“Nëse shikoni historinë e vendit, sa herë që një president ka ndryshuar Kushtetutën është pasuar me trazira. Kështu ka ndodhur më 2005 dhe më 2010, dhe jam e sigurt se çfarë ndodhi më 2020, erdhi për shkak se presidenti Atambayev solli ndryshime kushtetuese më 2016”, ka thënë Toktogazieva. “Nëse Japarovi do ta çojë përpara agjendën për reforma dhe do ta ndryshojë rrënjësisht Kushtetutën, njëmend jam e shqetësuar për pasojat”.