Botë

Izraeli urdhëron evakuimin e spitalit të vetëm funksional që ka mbetur në veri të Gazës

Kamal Adwan Hospital

Foto: Agjencia Anadolu

Ushtria e Izraelit ka urdhëruar që spitali i vetëm që po operon aktualisht në veri të Gazës të evakuohet brenda 24 orëve, ka thënë të martën drejtori i tij, Hussam Abu Safiya.

“Ushtria foli me mua direkt në gjuhë kërcënuese se nesër të gjithë pacientët do të detyrohen të largohen nga spitali ‘Kamal Adwan’... përndryshe do të rrezikojmë jetët tona”, ka thënë ai.

Spitali “Kamal Adwan” është mes Beit Lahiya dhe Jabalya, dy zona veriore të Gazës që Izraeli i ka urdhëruar të evakuohen para operacioneve ushtarake.

“Ajo që po ndodh është arbitrare dhe shpërngulje e qartë e banorëve nga veriu i Gazës”, i tha CNN-it Safiya.

Stafi i këtij spitali tashmë kishte transferuar disa pacientë në spitale të tjera dhe do të tentonte të evakuonte të tjerë për shkak të mungesës së karburantit, ka shtuar Safiya.

Megjithatë, ka theksuar se spitali do të vazhdojë të ofrojë shërbime mjekësore pasi shumë njerëz janë në nevojë.

“Spitali ‘Kamal Adwan’ është spitali i vetëm që operon ende në veri, kështu që lënia jashtë shërbimi e tij do të ishte katastrofë e madhe për njerëzit që kanë nevojë”, është shprehur Safiya.

Ministria e Shëndetësisë e Gazës e ka kritikuar Izraelin për urdhrin për evakuim dhe ka bërë thirrje që institucionet mjekësore të mbrohen.