Ushtria e Izraelit ka ardhur në përfundim se “me shumë gjasa” një nga ushtarët e saj e ka vrarë gazetaren palestineze-amerikane Shireen Abu Aqla, raporton BBC.
Korrespondentja e Al Jazeeras ishte qëlluar në kokë, derisa po mbulonte një bastisje në Bregun Perëndimor në maj.
Zyrtari i lartë ligjor i Ushtrisë së Izraelit, ka hedhur poshtë mundësinë e një hetimi penal për ushtarët e përfshirë në rastin, duke i dhënë kështu edhe fund hetimeve në këtë rast.
Familja e Abu Aqlas ka thënë se nuk janë të befasuar me këtë.
Abu Aqla kishte arritur në kampin e refugjatëve Jenin më 11 maj për të raportuar për një bastisje të ushtrisë izraelite, ku pati shkëmbim zjarri mes ushtarëve dhe militantëve palestinezë. Ajo po mbante një helmetë dhe një xhaketë të kaltër me fjalët “Press”.
Dëshmitarët dhe zyrtarët palestinezë raportuan se ajo ishte qëlluar nga trupat izraelite – gjë që u mbështetë më vonë edhe nga një hetim i Kombeve të Bashkuara dhe hulumtim i disa mediave. Po ashtu një hetim amerikan konstatoi se me shumë gjasë ushtarëat izraelitë kanë shkrepur plumbin fatal.
Edhe
OKB: Forcat izraelite vranë gazetaren e Al Jazeeras
Forca e Mbrojtjes së Izraelit ka njoftuar të hënën se ka mbaruar hetimet e brendshme. Ka thënë se ka gjasa të mëdha se ajo është qëlluar “gabimisht nga një ushtar izraelit, dhe sigurisht se ai nuk e kishte identifikuar atë si gazetare”.
Po ashtu është thënë se hetuesit kanë folur me ushtarin e përfshirë: “Ai na ka thënë se çfarë ka bërë; dhe nëse e ka bërë, e ka bërë gabimisht”.