Efektet e 100 ditëve të luftës i kanë ndier edhe rusët, por vetëm në xhepin e tyre. Një familje ruse thotë se më nuk ka porositur ushqim dhe pushimet verore sivjet janë vetëm kujtim i së kaluarës. Por përkundër vështirësive, familja ruse përkrah luftën në Ukrainë
Moskë, 05 qershor (AP) - I ashtuquajturi operacioni ushtarak i Rusisë në Ukrainë ka hyrë në ditën e 100-të dhe jeta për rusët e rëndomtë ka ndryshuar rrënjësisht.
Në fillim, operacioni ushtarak dukej larg territorit të Rusisë.
Mirëpo, brenda pak ditësh efektet e luftës nisën t’i përjetonin rusët e rëndomtë në formë të papritur. Natyrisht shkaku i sanksioneve nga qeveritë perëndimore dhe ndëshkimet ekonomike të korporatave.
Qindra kompani të huaja kanë larguar bizneset e tyre nga Rusia. Mijëra vende pune janë në dyshim.
Sofya Suvorova nga Nizhny Novgorod, e cila punonte në një kompani të madhe të IT-së, është në mesin e mijëra rusëve që kanë humbur vendet e punës pasi kompanitë janë larguar nga Rusia.
Edhe
Sulmi në Moskë ua sjell rusëve luftën në shtëpi
Ani pse bashkëshorti punon me orar të plotë, familja është keq me para. Pushimet verore janë kujtime nga e kaluara.
“Ne nuk mund të porosisim më ushqim. Ishte më lehtësuese kur kishim fëmijët e vegjël. Tani dalim më rrallë për kafe. Kemi reduktuar argëtimin siç janë koncertet dhe teatri. Po e bëjmë këtë për fëmijët, mirëpo të rriturit duhet të kursejnë”, ka theksuar Suvorova.
Thotë se familja nuk ka shkuar për pushime verore në vitet e fundit.
“Donim të shkonim për pushime, sepse nuk kemi udhëtuar shkaku i pandemisë. Doja të shkonim diku me fëmijët, por mendoj se sivjet pushimet do t’i kalojmë në Rusi”.
Kompania ia kishte ofruar mundësinë që të zhvendosej në një shtet tjetër me qëllim që të vazhdonte punën, mirëpo Sofya thotë se ishte proces i ndërlikuar për familjen.
“Kolegët e mi morën oferta për t’u shpërngulur. Edhe unë kisha një ofertë, por zhvendosja ishte e pamundur. Prindërit janë të moshuar, burri punon këtu, fëmijët shkojnë në shkollë. Do të qëndrojmë dhe jam në kërkim të ndonjë pune”, thekson Sofya.
Edhe
Nëna, luftëtare, aktiviste: gratë e brezit të mijëvjeçarit që po e mbajnë Ukrainën
Përkundër vështirësive financiare që i ka sjellë pushtimi rus i Ukrainës, Sofya vazhdon ta përkrahë operacionin ushtarak në Ukrainë.
Thotë se nuk merr vesh në politikë, por kundërshtimi i luftës veç pse nuk ka mundësi të shkojë në teatër, është diçka fëmijërore.