Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Botë

Ivanov: Maqedonisë i është kërkuar të bëjë “vetëvrasje historike”

Presidenti i Maqedonisë, Gjorgje Ivanov u ka bërë thirrje votuesve të bojkotojnë referendumin për emrin, duke thënë se shtetit i është kërkuar të kryejë “vetëvrasje historike”.

“Votimi në referendum është e drejtë, jo obligim”, ka thënë Ivanov më 27 shtator në një fjalim në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.

Banorët e Maqedonisë pritet të dalin në votime më 30 shtator, në kuadër të marrëveshjes që është arritur me Greqinë këtë vit, për të ndryshuar emrin e shtetit në Maqedonia Veriore.

Kontesti i emrit në mes të Shkupit dhe Athinës, daton nga viti 1991, përkatësisht në vitin kur Maqedonia ka shpallur pavarësinë e saj.

Greqia, shtet anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian ka përdorur çështjen e emrit si arsyetim për t’i vënë veto Maqedonisë në rrugën e saj drejt anëtarësimit në këto dy organizata.

Në rast në zbatimit të marrëveshjes, Greqia nuk do të pengojë më Maqedoninë në këto procese.

Edhe Zaevi i jep ultimatum opozitës Botë Zaevi i jep ultimatum opozitës

“Më 30 shtator, nuk do të votoj dhe e di se ju, qytetarët e mi të dashur do të merrni një vendim të mençur”, ka thënë Ivanov në OKB.

Ivanov, i cili e ka cilësuar këtë proces “shkelje të sovranitetit të shtetit” ka kritikuar zyrtarët evropianë dhe ata amerikanë që kanë vizituar Maqedoninë në javët e fundit, duke pretenduar se zbatimi i marrëveshjes për emrin është shpresa e vetme e Maqedonisë për t’u anëtarësuar në NATO dhe BE.

Shtetet e Bashkuara dhe zyrtarët evropianë kanë akuzuar Rusinë për ndërhyrje në këtë proces me qëllim të dështimit të referendumit.