Dries van Agt, kryeministri kristian-demokrat i Holandës nga viti 1977 deri në 1982, ka vdekur nga eutanazia, ka njoftuar organizata për të drejtat e njeriut të cilin e themeloi vetë. E njëjta procedurë është kryer edhe te gruaja e tij. Të dy ishin 93 vjeç, shkruan Associated Press.
“Forumi i të Drejtave” raportoi se çifti vdiq të hënën dhe do të varroset në një ceremoni private në qytetin lindor të Nijmegenit.
“Ai vdiq dorë për dore me gruan e tij të dashur, Eugenie van Agt-Krekelberg, mbështetjen dhe spirancën e tij për më shumë se 70 vjet dhe të cilën ai gjithmonë i referohej si ‘vajza ime’ “, ka thënë organizata jofitimprurëse në një deklaratë.
Që të dy ishin në gjendje të dobët shëndetësore prej disa kohësh. Në vitin 2019, Van Agt pësoi hemorragji në tru ndërsa mbante fjalim në një shërbim përkujtimor për palestinezët dhe nuk u shërua kurrë plotësisht. Demokristiani, i cili u bë gjithnjë e më progresiv pas largimit nga politika, përfundimisht u largua nga partia e tij në vitin 2017 për shkak të mosmarrëveshjeve rreth qasjes së partisë ndaj marrëdhënieve izraelito-palestineze.
Kryeministri holandez Mark Rutte, i cili e quajti Van Agtin “stër-stërgjyshi im në detyrë”, pati fjalë të mira për ish-politikanin.
“Me gjuhën e tij unike, bindjet e qarta dhe paraqitjen e habitshme, Dries van Agt i ka dhënë ngjyrë dhe përmbajtje politikës holandeze në një kohë polarizimi dhe rinovimi partiak”, ka thënë ai.
Ai u vlerësua edhe nga familja mbretërore.
Edhe
Kush është Rob Jetten, njeriu që pritet të bëhet kryeministri i parë homoseksual i Holandës
Van Agt ishte i njohur për referencat arkaike dhe gjuhën madhështore, si dhe për pasionin për çiklizmin. Pasi vizitoi Izraelin në vitin 1999, ai u bë gjithnjë e më i zëshëm për mbështetjen për popullin palestinez. Ai e quajti përvojën e udhëtimit në Izrael një “konvertim”.
Në vitin 2009, ai themeloi Forumin e të Drejtave, i cili mbron “politikat e drejta dhe të qëndrueshme holandeze dhe evropiane për çështjen e Palestinës dhe Izraelit”.
Ka lënë pas tre fëmijë.