Todd Blanche, ish-avokati i presidentit Donald Trump, është konfirmuar si prokurori i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara, posti më i lartë në sistemin e zbatimit të ligjit në vend.
Blanche u konfirmua nga Senati me 50 vota pro dhe 49 kundër. Dy senatore republikane, Susan Collins dhe Lisa Murkowski, votuan kundër emërimit të tij, raporton BBC.
Vota vendimtare ishte ajo e senatorit republikan Bill Cassidy. Ai tha se, pas shqyrtimit të çështjes, besonte se Blanche ishte kandidati më i mirë që presidenti Trump do ta propozonte për këtë post.
Vendimi i Cassidyt ishte pritur me vëmendje në Uashington, për shkak të marrëdhënieve të tensionuara që ai ka pasur prej vitesh me Trumpin.
Blanche kishte ushtruar detyrën e përkohshme të prokurorit të përgjithshëm që nga prilli.
Edhe
Paditet për herë të dytë ish-drejtori i FBI-së, James Comey
Të gjithë senatorët demokratë votuan kundër emërimit të tij për të drejtuar Departamentin e Drejtësisë.
Disa senatorë republikanë kishin shprehur shqetësime për mënyrën se si Blanche kishte trajtuar publikimin e dokumenteve që lidhen me Jeffrey Epstein, si dhe për rolin e tij në krijimin e një fondi prej 1.8 miliardë dollarësh të administratës Trump, të quajtur fondi “kundër instrumentalizimit të qeverisë”.
Fondi ishte planifikuar t'u ofronte kompensim personave që pretendonin se ishin persekutuar nga qeveria. Megjithatë, kritikët, përfshirë senatoren Murkowski, kishin frikë se paratë mund t'u jepeshin edhe personave të dënuar për pjesëmarrje në sulmin ndaj Kongresit më 6 janar 2021.
Pas kritikave të forta nga senatorët republikanë gjatë seancave të konfirmimit, Blanche premtoi se do ta tërhiqte këtë fond.
Edhe
Sulmuesi në darkën e Shtëpisë së Bardhë kishte cak zyrtarët e administratës Trump
Edhe
Trumpi shkarkon prokuroren e përgjithshme Pam Bondi