Botë

Irani paralajmëron SHBA-në me hakmarrje nëse sulmohet nga ajo

trump khamenei

Irani e ka paralajmëruar presidentin amerikan, Donald Trump të dielën se çdo sulm i SHBA-së do të çonte në kundërsulmin e Teheranit zyrtar kundër Izraelit dhe bazave ushtarake rajonale amerikane si "objektiva legjitime".

Paralajmërimin e ka bërë kryetari i parlamentit të Iranit, Mohammad Baqer Qalibaf, para ligjvënësve iranian të dielën.

Izraeli është në gatishmëri të lartë për mundësinë e një ndërhyrjeje të SHBA-së për të mbështetur një lëvizje proteste mbarëkombëtare në Iran, kanë thënë burimet për Reuters. 

Protestuesit në Iran sfiduan një goditje vdekjeprurëse të qeverisë të shtunën mbrëma, duke dalë në rrugë pavarësisht raportimeve se qindra persona janë vrarë ose plagosur nga forcat e sigurisë gjatë tri ditëve të fundit.

Video të verifikuara dhe dëshmi të drejtpërdrejta, të shqyrtuara nga mediat, tregojnë se qeveria po ashpërson reagimin e saj, ndërkohë që vazhdon bllokada e përgjithshme e internetit në vend.