Presidenti amerikan, Donald Trump, ka deklaruar të hënën se ishte shansi i fundit dhe më i mirë i SHBA-së për ta goditur fort Iranin dhe për t’i eliminuar kërcënimet e tij ndaj Lindjes së Mesme dhe vetë Amerikës. Në një fjalim gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë, ai ka thënë se Irani ka injoruar paralajmërimet e SHBA-së për të mos zhvilluar armë bërthamore. Ndërkohë, luftimet janë zgjeruar në rajon, duke u përfshirë në to edhe grupi militant në Liban, Hezbollah.
Washington/Lindje e Mesme (AP/BBC) - Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë të hënën se SHBA-ja vazhdon të kryejë “operacione luftarake në shkallë të gjerë” në Iran, për të eliminuar sipas tij, kërcënimet që paraqet regjimi i Teheranit.
Gjatë një ceremonie në Shtëpinë e Bardhë, të hënën, ai u shpreh se Irani i injoroi paralajmërimet e SHBA-së dhe “refuzoi t’i ndalonte përpjekjet për prodhimin e armëve bërthamore”.
Deklarata e Trumpit u bë teksa konflikti po kthehet në një luftë të gjerë në rajon.
Trumpi shtoi se Irani “nuk mund të vazhdojë t’i armatosë, financojë dhe drejtojë ushtritë terroriste” në të gjithë Lindjen e Mesme dhe se këtij vendi tashmë i janë shkatërruar 10 anije luftarake.
“Ky ishte shansi ynë i fundit dhe më i mirë për të goditur – atë që po bëjmë tani – dhe për t’i eliminuar kërcënimet e patolerueshme që paraqet ky regjim i sëmurë dhe i lig”, ka deklaruar Trumpi.
Sipas tij, programi i raketave i Iranit pati për qëllim ta mbrojë zhvillimin e armëve bërthamore.
Presidenti amerikan deklaroi se një regjim iranian i armatosur me armë bërthamore dhe raketa me rreze të gjatë veprimi do të ishte “kërcënim i papranueshëm” për Lindjen e Mesme, si dhe për vetë popullin amerikan.
E Trump në një intervistë për “CNN” pak para ceremonisë tha se vala më e madhe e operacionit në Iran ende nuk ka ardhur.
“Po i shkatërrojmë shumë”, tha Trump. “Mendoj se po shkon shumë mirë. Është shumë e fuqishme. Kemi ushtrinë më të madhe në botë dhe po e përdorim atë. As nuk kemi filluar ende t’i godasim fortë. Vala më e madhe ende s’ka ndodhur. Vala e madhe vjen shpejt”.
Gjatë së hënës, edhe sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth, mbajti një konferencë për media ku deklaroi se SHBA-ja nuk e ka filluar luftën me Iranin, porse ajo do ta përfundojë atë.
“Për 47 vjet të gjatë, regjimi ekspansionist dhe islamik në Teheran ka zhvilluar një luftë të egër dhe të njëanshme kundër Amerikës. Ata nuk e kanë deklaruar gjithmonë hapur, përveç thirrjeve të tyre të vazhdueshme 'Vdekje Amerikës'. Ata e bënë këtë përmes gjakut të popullit tonë, makinave bomba në Bejrut, sulmeve me raketa ndaj anijeve tona e vrasjeve në ambasadat tona. Ne nuk e filluam këtë luftë, por nën presidentin Trump, ne po e përfundojmë atë”, ka deklaruar Hegseth.
Hegseth ka thënë po ashtu se rasti i Iranit nuk është si ai i Irakut, duke u zotuar se nuk do të ketë luftë të pafundme dhe se qëllimi është shkatërrimi i raketave, marinës dhe infrastrukturës tjetër të sigurisë që zotëron Teherani zyrtar.
Përshkallëzohen sulmet
Lufta në Lindjen e Mesme është përshkallëzuar edhe më tej të hënën, ndërsa Izraeli dhe SHBA-ja bombarduan Iranin.
Teherani dhe aleatët e tij kundërpërgjigjën duke goditur Izraelin, shtetet fqinje të Gjirit dhe objektiva jetike për prodhimin global të naftës dhe gazit natyror.
Zona që konsideroheshin të sigurta në Lindjen e Mesme, si Dubai, po vazhdojnë të goditen gjithashtu. Çmimet e naftës janë rritur ndjeshëm, teksa aleatët e SHBA-së janë zotuar të ndihmojnë në ndalimin e raketave dhe dronëve iranianë.
Irani ka kërcënuar prej kohësh se, nëse sulmohet, do ta tërheqë rajonin në një luftë totale, duke shënjestruar Izraelin, shtetet arabe të Gjirit dhe rrjedhën e naftës bruto, thelbësore për tregjet globale të energjisë. Të gjitha këto u vunë në shënjestër të hënën.
Shefi i sigurisë kombëtare të Iranit, Ali Larijani, ka paralajmëruar të hënën se vendi është "përgatitur për një luftë të gjatë".
“Irani, ndryshe nga Shtetet e Bashkuara, është përgatitur për një luftë të gjatë. Ashtu si në 300 vjetët e fundit, Irani nuk e filloi këtë luftë dhe Forcat tona të Armatosura të guximshme nuk janë përfshirë në asnjë sulm përveçse në mbrojtje”, ka deklaruar Larijani.
Qindra viktima në disa vende
Kaosi i konfliktit u bë edhe më i dukshëm kur ushtria amerikane njoftoi se Kuvajti “gabimisht rrëzoi” tre avionë luftarakë amerikanë F-15E Strike Eagle, ndërsa sulmet nga avionë iranianë, raketa balistike dhe dronë ishin në zhvillim. Komanda Qendrore e SHBA-së ka njoftuar se të gjashtë pilotët u hodhën me sukses me parashutë dhe ndodhen në gjendje stabile.
Izraeli dhe SHBA-ja kanë bombarduar vendet e lëshimit të raketave iraniane dhe kanë shënjestruar marinën e tij, duke pretenduar se kanë shkatërruar selinë e saj dhe disa anije luftarake.
Numri i viktimave është rritur në të gjitha anët. Gjysmëhëna e Kuqe Iraniane ka thënë se operacioni SHBA-Izrael ka vrarë të paktën 555 persona. Në Izrael, ku disa zona u goditën nga raketa iraniane, u vranë 11 persona. Grupi militant Hezbollah, i mbështetur nga Irani, gjithashtu goditi Izraelin, i cili u kundërpërgjigj me sulme në Liban, duke vrarë më shumë rreth 60 persona. Ndërkohë, gjashtë ushtarë amerikanë janë vrarë, ndërsa u raportuan tre viktima në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe nga një në Kuvajt dhe Bahrein.
Në qytetin e Kuvajtit, flakë dhe tym u panë brenda kompleksit të Ambasadës së SHBA-së, pak pasi SHBA-ja u bëri thirrje qytetarëve amerikanë të strehoheshin dhe të qëndronin larg zonës. Nuk pati raportime të menjëhershme për dëme apo viktima.
Goditja ndaj ekonomisë
Irani po godet shtyllën kryesore të ekonomisë së rajonit.
Me tregjet botërore tashmë të tronditura nga luftimet, QatarEnergy njoftoi se do ta ndalonte prodhimin e gazit natyror të lëngshëm, duke nxjerrë nga tregu një nga furnizuesit kryesorë botërorë. Nuk u dha një afat për rifillimin e prodhimit. Çmimet e gazit natyror në Evropë u rritën me 40% si reagim.
Ndërkohë, rafineria saudite e naftës në Ras Tanura u vu në shënjestër nga dronë, teksa mbrojtja ajrore rrëzoi ata, sipas agjencisë shtetërore saudite të lajmeve. Rafineria ka kapacitet mbi gjysmë milioni fuçi nafte bruto në ditë.
Një dron goditi gjithashtu një cisternë nafte në Gjirin e Omanit, duke vrarë një marinar, ndërsa mbetje ranë mbi një rafineri nafte në Kuvajt.
Disa anije janë sulmuar në Ngushticën e Hormuzit, hyrja e ngushtë e Gjirit Persik përmes së cilës kalon një e pesta e naftës globale dhe ku Irani ka kërcënuar me sulme.
“Sulmi ndaj rafinerisë Ras Tanura në Arabinë Saudite shënon një përshkallëzim të rëndësishëm, me infrastrukturën energjetike të Gjirit tashmë qartazi në shënjestër të Iranit”, ka thënë Torbjorn Soltvedt, analist në kompaninë e inteligjencës “Verisk Maplecroft”. “Na pret një periudhë e zgjatur pasigurie.”
Rajoni është gjithashtu një qendër e rëndësishme për udhëtimet ajrore, dhe pasagjerë në mbarë botën kanë mbetur të bllokuar pasi kompanitë ajrore me bazë në Gjirin Persik pezulluan fluturimet. Megjithatë, linjat ajrore të distancave të gjata Etihad dhe Emirates rifilluan fluturime të kufizuara të hënën.
Irani ndërkohë pretendon se u shënjestrua një objekt bërthamor i tij.
Reza Najafi, ambasadori i Iranit pranë Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike, u ka thënë gazetarëve se sulmet ajrore shënjestruan objektin bërthamor të pasurimit në Natanz të dielën.
“Arsyetimi i tyre se Irani dëshiron të zhvillojë armë bërthamore është thjesht një gënjeshtër e madhe”, ka thënë ai.
Izraeli dhe SHBA-ja nuk kanë pranuar se kanë kryer goditje në këtë objekt, të cilin SHBA-ja e bombardoi gjatë luftës 12-ditore mes Iranit dhe Izraelit në qershor. Izraeli ka thënë se po shënjestron “udhëheqjen dhe infrastrukturën bërthamore.”
Irani ka deklaruar se nuk ka pasuruar uranium që nga qershori, megjithëse ka theksuar të drejtën e tij për ta bërë këtë, duke këmbëngulur se programi i tij bërthamor është plotësisht paqësor.
Rriten çmimet globale të naftës dhe gazit pas sulmeve iraniane në Lindjen e Mesme
Çmimet globale të naftës janë rritur ndjeshëm teksa Irani vazhdon sulmet në Lindjen e Mesme, në përgjigje të ofensivës së vazhdueshme nga SHBA-ja dhe Izraeli.
Nafta Brent, u rrit për 10 për qind, duke arritur në mbi 82 dollarë për fuçi të hënën, pasi të paktën tri anije u sulmuan pranë Ngushticës së Hormuzit gjatë fundjavës. Çmimet e gazit natyror u rritën deri në 25 për qind.
Irani paralajmëroi anijet që të mos kalojnë nëpër këtë korridor strategjik detar në jug të vendit, përmes të cilit transportohet rreth 20 për qind e naftës dhe gazit. Sipas analistëve, transporti ndërkombëtar detar në hyrje të Ngushticës së Hormuzit pothuajse ka ndalur, duke shtuar shqetësimet për furnizimin global me energji.
Qendra britanike UK Maritime Trade Operations bëri të ditur se dy anije janë goditur, ndërsa një predhë ka shpërthyer shumë afër një tjetre.
Pas rritjes fillestare, nafta e përpunuar Brent shkoi në rreth 79 dollarë për fuçi, ndërsa nafta e tregtuar në SHBA shënoi rritje prej rreth 7.6%, apo 72.20 dollarë.
Ndërkohë, ari që konsiderohet aset i sigurt në kohë pasigurie u rrit me 2.3%, duke arritur në 5,395.99 dollarë për ons.
Rrëzohen në Kuvajt disa avionë ushtarakë amerikanë
Disa avionë ushtarakë amerikanë janë rrëzuar në Kuvajt herët të hënën, por të gjithë anëtarët e ekuipazhit kanë mbijetuar dhe janë në gjendje të qëndrueshme, ka bërë të ditur Ministria e Mbrojtjes e Kuvajtit, ndërsa konflikti u zgjerua në të gjithë Lindjen e Mesme.
Në një incident të veçantë, tymi u pa duke u ngritur nga afërsia e kompleksit të Ambasadës së SHBA-së në qytetin e Kuvajtit, teksa kamionë zjarrfikës dhe ambulanca ishin në zonë, ka thënë një dëshmitar për Reuters.
Kuvajti kapi dronë armiqësorë herët të hënën, dita e tretë radhazi e sulmeve hakmarrëse iraniane ndaj shteteve fqinje të Gjirit, në përgjigje të sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Republikës Islamike.
Deklarata e ministrisë së Mbrojtjes së Kuvajtit, e cila u transmetua nga agjencia shtetërore e lajmeve, thotë se ekuipazhet nga avioni i rrëzuar u evakuuan dhe u transferuan në spital dhe ishin në gjendje të qëndrueshme. Ajo shtoi se reagimi u krye në koordinim me forcat amerikane.
Media shtetërore e Iranit citoi Korpusin e Gardës Revolucionare Islamike të thoshte se forcat e armatosura iraniane goditën një aeroplan amerikan që u rrëzua në Kuvajt.
Një video që po qarkullon online dhe e verifikuar nga Reuters si e kapur në zonën Al Jahra të Kuvajtit, tregonte një avion ushtarak që binte nga qielli dhe një person që hidhej me parashutë në të njëjtën pamje.
US airforce fighter jet crashed in Kuwait
— Ahsan Sabir (@ahsansabir57) March 2, 2026
The pilot ejected just before and captured by Kuwaiti citizens and locked in car's trunk#Iran #IranWar #MiddleEast #kuwaitnews #isrealterrorists #US pic.twitter.com/MbSVpipwGk
Droni iranian godet bazën ushtarake britanike në Qipro
Presidenti i Qipros, Nikos Christodoulides, ka konfirmuar të hënën se një dron iranian i tipit Shaheed ka shkaktuar "dëme të vogla materiale" në instalimet ushtarake brenda bazës ajrore RAF Akrotiri të Mbretërisë së Bashkuar në bregdetin jugor të ishullit.
Christodoulides ka thënë se droni ka goditur pak pas mesnatës së së hënës.
Ai ka thënë se të gjitha autoritetet përkatëse janë vënë në gatishmëri dhe se ka thirrur një takim të këshillit të sigurisë kombëtare të vendit për të vlerësuar situatën.
Ai ka shtuar po ashtu se është në kontakt me udhëheqës të tjerë evropianë.
Sipas tij, Qiproja mbetet e përqendruar në rolin humanitar që luan në rajon dhe se kërkon të jetë "pjesë e zgjidhjes dhe jo problemi", duke shtuar se shqetësimi i tij kryesor mbetet siguria dhe mbrojtja e vendit dhe popullit të tij.
Sulmi i dyshuar me dron ndodhi pasi kryeministri britanik, Keir Starmer, tha se Mbretëria e Bashkuar do të ndihmonte SHBA-në në luftën kundër Iranit.
Izraeli nuk përjashton operacione tokësore në Liban
Ushtria izraelite nuk ka përjashtuar të hënën mundësinë për operacione tokësore në Liban.
Një zëdhënës i ushtrisë ka thënë se "të gjitha opsionet janë në tryezë”.
Hezbollahu "do të paguajë një çmim të lartë" për sulmin ndaj Izraelit, ka thënë ai.
"Kemi mobilizuar afër 100,000 rezervistë, dhjetëra batalione, brigada, divizione, të vendosura në mbrojtje të kufirit verior dhe të përgatitura për të gjitha mundësitë, në mbrojtje dhe në sulm. Po bëjmë vlerësime të situatës dhe të gjitha opsionet janë në tryezë”, ka deklaruar zëdhënësi.
Të paktën 31 persona janë vrarë nga sulmet izraelite në Liban, pasi Hezbollahu ndërmori një sulm ndaj Izraelit, ndërsa konflikti është zgjeruar me përfshirje të milicive të mbështetura nga Irani në Lindje të Mesme.
Irani lëshoi raketa drejt Izraelit dhe disa shteteve arabe të hënën, duke thelluar përshkallëzimin e luftës. Hezbollahu kreu një sulm ndaj Izraelit, i cili u kundërpërgjigj me bombardime në Liban, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës goditën objektiva në territorin iranian.
Izraeli dhe Hezbollahu kanë qenë në luftë gjatë kohës së luftës në Gazë. Grupi militant libanez, i mbështetur nga Irani, sulmonte atëkohë veriun e Izraelit, në hakmarrje për luftën e tij në Rripin e Gazës.
Luftimet Izrael – Hezbollah janë ndërprerë pas një marrëveshjeje armëpushimi që ka hyrë në fuqi në nëntor të vitit 2024.
Të paktën 555 persona të vrarë në Iran që nga e shtuna
Të paktën 555 persona janë vrarë në Iran që prej nisjes së sulmeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Izraelit ndaj Iranit.
“Iranian Red Crescent Society” raporton se sulmet ajrore kanë shkaktuar të paktën 555 të vrarë deri më tani brenda Republikës Islamike, ku 131 qytete janë goditur gjatë konfliktit të përshkallëzuar. Autoritetet iraniane përshkruajnë këto të dhëna si pasojë e bombave dhe raketave që synojnë objektiva brenda territorit të Iranit në valën e ofensivave ajrore të nisura nga aleatët perëndimorë.
Ngjarjet ndodhin në një kontekst shumë më të gjerë të luftës që po përfshin edhe sulme dhe kundër-sulme në gjithë Lindjen e Mesme.
Izraeli i mbyll pikat kufitare me Gazën, organizatat paralajmërojnë mungesë ushqimi
Izraeli ka bërë të ditur se pikat kufitare me Gazën, përmes të cilave kalon ndihma e domosdoshme humanitare, do të mbeten të mbyllura për aq kohë sa vazhdon lufta me Iranin.
COGAT, organi izraelit që mbikëqyr hyrjen e ndihmave në Gaza dhe funksionimin e pikave kufitare, ka njoftuar se ato nuk mund të operojnë në mënyrë të sigurt për shkak të kërcënimit nga raketat.
Autoritetet izraelite kanë udhëzuar qytetarët të qëndrojnë pranë strehimoreve kundër bombave, ndërsa objektet që ndodhen në distancë më të largët nga strehimoret, janë mbyllur.
“Masat e ndërmarra janë të përkohshme dhe bazohen vetëm në një vlerësim të sigurisë”, thuhet në deklaratën e COGAT-it.
Megjithatë, pretendimet se në Gaza ka rezerva të mjaftueshme ushqime për një “periudhë të zgjatur” janë vënë në pikëpyetje nga organizata të ndryshme humanitare. Ndër to është edhe World Central Kitchen, që operon me kuzhinë popullore në mbarë Gazën, e cila ka paralajmëruar se po i mbarojnë furnizimet.
“Ne kemi nevojë për dërgesa ushqimore çdo ditë për të ushqyer familjet e uritura që nuk janë pjesë e kësaj lufte”, ka shkruar në rrjetin social X, themeluesi i saj, Jose Andres,.
Të paktën 31 të vrarë nga sulmet izraelite në Liban pas sulmit të Hezbollahut
Të paktën 31 persona janë vrarë nga sulmet izraelite në Liban, pasi Hezbollahu ndërmori një sulm ndaj Izraelit, ndërsa konflikti është zgjeruar me përfshirje të milicive të mbështetura nga Irani në Lindje të Mesme.
Irani lëshoi raketa drejt Izraelit dhe disa shteteve arabe të hënën, duke thelluar përshkallëzimin e luftës. Hezbollahu kreu një sulm ndaj Izraelit, i cili u kundërpërgjigj me bombardime në Liban, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës goditën objektiva në territorin iranian, shkruan AP.
Teksa sulmet ajrore amerikane dhe izraelite vazhdonin, zyrtari i lartë iranian i sigurisë, Ali Larijani, deklaroi në rrjetin social X se “nuk do të negociojmë me Shtetet e Bashkuara”.
Presidenti amerikan, Donald Trump, i cili një ditë më parë kishte inkurajuar iranianët “të marrin në dorë” qeverinë e tyre, sinjalizoi të dielën se është i hapur për dialog me udhëheqjen e re të Iranit.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm i Iranit sugjeroi më herët se disa njësi ushtarake po vepronin në mënyrë të pavarur nga kontrolli qendror i qeverisë, pasi u pyet për sulmet ndaj vendeve arabe, të cilat në të kaluarën kanë shërbyer si ndërmjetës për Teheranin.
Sipas autoriteteve iraniane, mbi 200 persona janë vrarë që nga fillimi i sulmeve, përfshirë udhëheqësin Suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, dhe drejtues të tjerë të lartë.