Shefja për Politikë të Jashtme në Bashkimin Evropian, Federica Mogherini ka thënë se fuqitë botërore dhe Irani janë pajtuar për të vazhduar bisedimet për masat ekonomike, si dhe për ruajtjen e marrëveshjes bërthamore të vitit 2015.
Ministrat e Jashtëm dhe diplomatët e lartë nga Britania, Kina, Franca, Gjemania dhe Rusia kanë negociuar më 6 korrik me homologun e tyre iranian, Mohammad Javad Zarif në Vjenë, për herë të parë, prej kur presidenti amerikan, Donald Trump ka njoftuar se SHBA-ja do të largohet nga pakti bërthamor dhe do të rivendosë sanksionet ndaj Iranit, transmeton rel.
Duke folur pas takimit në mes të palëve që janë aktualisht pjesë e paktit bërthamor, Mogherini, e cila ka udhëhequr takimin, ka lexuar një deklaratë në të cilën është thënë se të gjitha palët do të konsiderojnë mënyra të ndryshme për të ruajtur marrëveshjen, pavarësisht sanksioneve amerikane.
Më herët gjatë ditës, Zarif ka thënë se gjendet në Vjenë për të “dëgjuar zgjidhje praktike në vend të sloganeve”.
Para mbajtjes së takimit, presidenti iranian, Hasan Rohani u ka thënë liderëve të Francës dhe Gjermanisë se paketa evropiane me masa ekonomike nuk lufton mjaftueshëm efektet e sanksioneve amerikane, kanë raportuar mediat iraniane.
Pakti bërthamor i vitit 2015, parasheh heqjen e sanksioneve për Iranin, derisa Teheranit i kërkohet të frenojë aktivitetin bërthamor.
-
Irani dhe fuqitë botërore diskutojnë këtë javë për paktin bërthamor
-
Irani dhe fuqitë evropiane do t’i vazhdojnë bisedimet për programin bërthamor në javën e ardhshme
-
Irani dhe fuqitë evropiane diskutojnë sot rreth programit bërthamor dhe sanksioneve
-
Irani pajtohet për bisedime bërthamore me fuqitë evropiane në javën e ardhshme
-
Zyrtarët iranianë dhe rusë japin shpresë për bisedimet bërthamore