Republika Islamike e Iranit, Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania janë pajtuar që të zhvillojnë bisedime rreth programit bërthamor iranian, ka raportuar të dielën agjencia e lajmeve Tasnim, disa ditë pas paralajmërimit të tri fuqive evropiane se dështimi për të vazhduar negociatat do të dërgonte në rivendosjen e menjëhershme të sanksioneve ndërkombëtare ndaj Iranit.
“Parimi i bisedimeve është rënë dakord, por konsultimet po vazhdojnë për kohën dhe vendin e bisedimeve. Shteti ku mund të mbahen bisedimet javën e ardhshme nuk është finalizuar ende”, ka bërë të ditur Tasnim, tek ka cituar një burim të informuar me çështjen.
Lajmi mbi bisedimet e mundshme është bërë disa ditë pasi ministrat e Jashtëm të shteteve përkatëse, të njohur ndryshe edhe si “E3”, si dhe shefja për politikën e Jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, mbajtën diskutimet e tyre të para me homologun iranian, Abbas Araghchi, qëkur Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës bombarduan objektet bërthamore të Republikës Islamike një muaj më parë.
Marrëveshja bërthamore e vitit 2015 me Britaninë, Gjermaninë, Francën, SHBA-në, Rusinë dhe Kinën – e njohur si Plani i Përbashkët i Veprimit Bërthamor (JCPOA) – nënvizon se, nëse palët nuk mund të zgjidhin akuzat për “mungesë të zbatimit” nga Irani, mekanizmi i sanksioneve të menjëhershme mund të aktivizohet nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara me 15 anëtarë.
Në “E3” kanë bërë të ditur se do të rivendosin sanksionet e Kombeve të Bashkuara ndaj Teheranit përmes mekanizmit “snapback” deri në fund të gushtit, nëse bisedimet bërthamore që ishin në zhvillim ndërmjet Iranit dhe SHBA-ve nuk rinisin ose nuk japin rezultate konkrete.
Vendet perëndimore e kanë akuzuar në vazhdimësi Iranin se po planifikon të ndërtojë armë bërthamore, akuzë që Teherani zyrtar e mohon.