Inteligjenca britanike po pretendon se granatimet masive mbi Ukrainë lidhen me dështimet ushtarake të Rusisë. Në raportin e së martës, Inteligjenca shkroi se trupat ruse po dështojnë nëpër frontet e luftës në Ukrainë, me ç’rast po i përdorin sulmet mbi ndërtesat e banimit si hakmarrje.
“Që nga 10 tetori, ushtria ruse ka kryer sulme masive në Ukrainë, duke përdorur raketa lundrimi, raketa të mbrojtjes ajrore dhe dronë iranianë, për t’i goditur objektivat banuese”, thuhet në raport.
Britania e Madhe tha se qëllim i këtyre sulmeve është “të shkaktohet ndërprerja maksimale e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike në Ukrainë”.
“Meqë Rusia ka pasur pengesa në fushën e betejës që nga gushti, ajo po tregon gatishmëri më të madhe për të goditur infrastrukturën civile, përveç objekteve ushtarake ukrainase”, thuhet tutje në raport.
Që nga e hëna, në Ukrainë është ndezur alarmi, pas sulmeve të njëpasnjëshme të Rusisë.